Nga Roland Beqiraj
Shesin në rrugë mes pluhurit dhe pranë koshave të mbeturinave, fruta, perime madje dhe peshk e jo në markaton që e kanë 5 metra më larg. Ky paradoks vjen nga Devolli. Tregtarët thonë se disa muaj më parë hynë në godinë, por konsumatorët nuk shkonin të blinin. Ndaj u detyruan të ktheheshin në rrugë.
“Shesim në rrugë, se ata 5 blerës qytetarë të Bilishtit e kanë më kollaj këtu se sa të marrin këtë rrugën përpjetë dhe të pengohen nëpër shkallë. U futëm atje dhe nuk hyri njeri. Qëndruam 1 muaj dhe s’hynte njeri. Bëmë kërkesë në bashki dhe polici dhe qëndruam këtu,” thotë një prej tyre.
“Dy muaj brenda, siç u fusnim aty u linim. Ne rrinim, aty gjysmat rrinin jashtë. Po hynë të gjithë hymë dhe ne.”
Sipas tregtarëve pengesë janë edhe shkallët e markatos apo kushtet në brendësi të saj.
“Atje nuk ngjiten dot pleqtë, ne nuk ngjitim dot mallin.”
“S’ka kushte, bie era myk, ka lagështi të madhe.”
Këto problematika e ka të qarta dhe kreu e Bashkisë së Devollit, por s’ka mundur të bindin tregtarët. Ndaj Eduard Duro bën të ditur se ka në plan të gjejë një zgjidhje.
“Është pothuajse jashtë funksionit si markato, asnjëherë s’ka arritur funksionin për qëllimin që u ndërtua. Jemi duke studiuar për një treg të ri të aksesueshmë për këmbësorët dhe makinat.” /abcnews.al/

