Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan rezolutën me anë të së cilës i kërkohet qeverisë pezullimi i veprimtarive të lojërave të fatit. Qeveria brenda 30 ditësh është e detyruar të sjellë në Kuvend ligjin për lojërat e fatit me ndryshimet e bëra.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën për pezullimin e më pas ndalimin me ligj të veprimtarive të lojërave të fatit. Rezoluta është paraqitur nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila kërkoi seancë të jashtëzakonshme pas dy vrasjeve në dy kazino të ndryshme brenda Javës.
“Lojërat e fatit, mbyllja e tyre duhet të bëhet vetëm me nismë ligjore. Mund të propozohet nga Qeveria apo deputetët, nga komisionet e Kuvendit.”.
Me anë të kësaj rezolute, qeveria obligohet të nisë procedurat ligjore për pezullimin e lojërave të fatit deri në ndryshim të ligjit. Ndërsa pika dy e rezolutës thotë se qeveria brenda 30 ditësh obligohet të sjellë ligjin që ndalon lojërat e fatit.
Para 5 ditësh është vrarë një person në një kazino në Suharekë ku dyshohet se vrarës është një polic, i cili më pas është arrestuar. Ndërsa rasti i dytë ka ndodhur para dy ditësh në Lipjan. Të dyja rastet ndërlidhen me tentim grabitje./abcnews.al

