Mali i Zi i është përgjigjur përfundimisht kërkesës së Serbisë për hapjen e tri vendvotimeve shtesë për zgjedhjet serbe. Përgjigjja është negative.
Zgjedhjet serbe të 3 prillit u bënë temë edhe në Mal të Zi ditët e fundit. Kjo çështje ka përfunduar pasi dje Ministria e Jashtme e Malit të Zi u pajtua që ato të mbahen në ambasada dhe konsullata.
Kjo u bë e ditur mbrëmë nga ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviq në një intervistë për “Vijesti”.
Vladimir Bozhoviç, ambasadori i Serbisë në Podgoricë, kishte thënë më herët se pret që Ministria e Jashtme malazeze ta ndryshojë vendimin e saj për refuzimin e kërkesës së Ambasadës Serbe për hapjen e tri qendrave shtesë të votimit (në Beranë, Budva dhe Sutomore) për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Tri vendvotimet shtesë, të kërkuara nga Serbia, kishin të bënin me votimin e serbëve të shpërngulur nga Kosova në Mal të Zi.
Raduloviç tha se MPJ-ja malazeze “është përgjigjur pozitivisht” ndaj kërkesave të ambasadës serbe, por se e ka refuzuar kërkesën për hapjen e vendvotimeve shtesë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi “pasoja të mëdha” ndaj Malit të Zi pas përgjigjes negative lidhur me hapjen e vendvotimeve shtesë.
Me këtë rast, dje është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
“Qeveria malazeze e ndaloi votimin në Berane dhe në vende të tjera për zgjedhjet tona. Qeveria e Kurtit kërkoi që ne të njohim pavarësinë e Kosovës për të organizuar zgjedhjet. Mali i Zi, si dhe Albin Kurti, do të marrin përgjigje”, tha Vuçiç.