Vendet anëtare të BE-së pritet të bashkojnë forcat në prag të zgjedhjeve euro-parlamentare, për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e huaja dhe në veçanti nga fushatat e keqinformimit që mund të bëhen online, që janë kthyer në një shqetësim serioz për Brukselin.
Liderët e Bashkimit Europian pritet të japin alarmin në lidhje me kërcënimin që i kanoset zgjedhjeve euro-parlamentare që mbahen në maj nga fushatat e lajmeve të rreme të organizuara nga fuqitë e huaja.
Një projekt/deklaratë, e cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters” në prag të samitit që do të mbahet në Bruksel të enjten dhe të premten, thotë se lidershipi i Unionit do t’u bëjë thirrje qeverive të vendeve anëtare që të tregohen më të serta në mbrojtjen e zgjedhjeve.
Projekt/deklarata është treguesi i fundit i shqetësimit në rritje të BE në lidhje me ndërhyrjet e huaja, sidomos nga Rusia që synon të krijojë përçarje në Europë.
“Shumë nga vendet tona, përfshirë Francën, janë prekur nga fushata lajmesh të rreme, sulme kibernetike, ose manipulime. Duhet të intensifikojmë përpjekjet në nivel europian, pasi aktualisht vëmendja jonë është e tkurrur”, ka deklaruar një zëdhënës i presidencës franceze.
Krerët e shteteve të vendeve anëtare pritet t’u bëjnë thirrje qeverive që të shkëmbejnë informacionin mbi çdo kërcënim përmes një sistemi të ri paralajmërimi. Gjithashtu, ata do t’u bëjnë thirrje platformave si Google dhe Facebook që të bëjnë më shumë kundër materialeve keqinformuese.
Deri më sot, përpjekjet në nivel europian kanë qenë të kufizuara për shkak të rregullave të ndryshme elektorale në vendet anëtare dhe përplasjeve të vazhdueshme për limitin e ndërhyrjes së enteve rregullatore për t’iu përgjigjur materialeve të rreme të publikuara online./abcnews.al