OKB ka shpallur katastrofë humanitare në disa zona të Afrikës së Jugut, të goditura nga cikloni “IDAI”, që vetëm në Mozambik dyshohet të ketë marrë rreth 1 mijë jetë njerëzish. Ndërkohë, të prekura janë edhe vende të tjera si Malaui e Zimbabve.
Cikloni “Idai” ka shkaktuar një katastrofë masive në jug të Afrikës, duke prekur disa qindra mijëra, në mos miliona njerëz. Alarmi është dhënë nga Kombet e Bashkuara, që kanë saktësuar se rajoni është shkatërruar nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës, që kanë prekur kryesisht Mozambikun, Zimbabven dhe Malauin.
Presidenti i Mozambikut, Filip Niusi ka deklaruar se bëhet fjalë për një katastrofë humanitare të përmasave të mëdha. Ai ka shtuar se mbi 1 mijë persona mund të kenë humbur jetën pasi cikloni goditi vendin javën e kaluar. “Idai” u përplas fillimisht të enjten në qytetin port Beira, me erëra që frynin deri në 177 kilometra në orë.
“Kemi nevojë për të gjithë mbështetjen logjistike që mund të na jepet”, ka deklaruar Kristian Lindmajer, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Aktualisht qeveria e Mozambikut ka të dokumentuar vdekjen e 84 personave, ndërkohë që 100 mijë të tjerë duhen shpëtuar në një zonë në afërsi të Beirës. Një mbikëqyrje ajrore e zonës tregoi se një brez toke i gjatë 50 kilometra ndodhet nën ujë për shkak se lumi Buzi doli nga shtrati dhe vërshoi rrugëve të provincës.
Ndërkohë, në Zimbabve viktimat janë 98, ndërsa rreth 200 të tjerë konsiderohen të humbur. Ndërsa në Malaui, personat e prekur nga cikloni janë rreth 920 mijë, me bilancin e viktimave ende të paqartë./abcnews.al