Në ditën e 22 të luftës, burime nga disa anë konfirmojnë se Vladimir Putin ka ngecur me planin e tij të pushtimit. Japonia publikoi pamje të disa anijeve ushtarake ruse që mendohet se po dërgojnë trupa në Ukrainë, nga ana tjetër Inteligjenca Britanike tha se pushtimi rus ka ngecur në të gjitha frontet.
Zhvillimet më të fundit në Ukrainë.
- Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, autobusët me rreth 300 refugjatë kanë mbërritur përtej kufirit në rajonin e Rostovit të Rusisë, sipas mediave ruse. Dje, sulmet me raketa ruse goditën një teatër në qytet ku mendohej se ishin strehuar mbi 1000 njerëz, sipas nënkryetarit të bashkisë së qytetit.
- Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky akuzoi Rusinë se e goditi qëllimisht teatrin. Rusia ka mohuar se e ka bombarduar atë.
- Në kryeqytetin Kiev, një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur pasi një pallat u bombardua nga rusët. Po punohet për të nxjerrë njerëzit që mund të jenë të bllokuar nën rrënoja.
- Në Chernihiv, 13 persona që prisnin në radhë për bukë u raportuan të vrarë nga bombardimet ruse
- Në frontin diplomatik, marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë janë tensionuar pasi presidenti amerikan Joe Biden e quajti presidentin rus Vladimir Putin një “kriminel lufte”. Kremlini i cilësoi komentet e Biden si “retorikë të papranueshme dhe të pafalshme”
- Para se të bëhej komenti, Zelensky foli në Kongresin e SHBA ku bëri thirrje për më shumë mbështetje perëndimore
- SHBA premtoi një shtesë prej 1 miliard dollarësh në armë për Ukrainën
- Analiza nga ekspertët ushtarakë, përfshirë ministrinë e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, thotë se pushtimi rus ka “ngecur në të gjitha frontet”
Zhvillimet e ditës së sotme minutë pas minute
21:13-SHBA e shqetësuar se Kina mund të ndihmojë Rusinë me armë
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se ekziston një shqetësim i madh se Kina mund t’i sigurojë Rusisë pajisje ushtarake për ta ndihmuar me pushtimin e Ukrainës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se presidenti amerikan Joe Biden do të jetë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë në bisedën e tij me presidentin kinez Xi Jinping nesër.
Ajo shtoi se fakti që Kina nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë “flet shumë”.
Kujtojmë se Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken u shpreh më herët se Shtëpia e Bardhë nuk do të ketë asnjë hezitim për të vendosur “kosto” ndaj Pekinit nëse vendi vazhdon të mbrojë veprimet e zotit Putin.
20:57–Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, fillon mbledhja e Këshillit të Sigurimit në OKB
Këshilli i Sigurimit të OKB-së është duke mbajtur sot një seancë në New York. Tema e diskutimit është pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe do të votohet draft-rezoluta për Ukrainën.
Rusia paraqiti një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të martën duke bërë thirrje për një “armëpushim të negociuar për të siguruar evakuimin e shpejtë, të sigurt, vullnetar dhe të papenguar të të gjithë civilëve”.
Në rezolutë bëhet po ashtu thirrje që të mos përdoren infrastrukturat civile për të pritur instalimet ushtarake dhe gjithashtu të mos instalohen në zona me popullsi të dendur. Përfaqësuesja e Përhershme e Mbretërisë së Bashkuar Barbara Woodward ka njoftuar tashmë se nuk do të mbështesë projektin rus.
Kujtojmë se anëtarë e përhershme e këtij Këshilli është edhe Rusia.
20:47-Bombardohet tregu gjigant, tym i zi në qiellin e Kharkiv-it
Rusia ka bombarduar tregun gjigant Barabashova në Kharkiv duke bërë që të shfaqen edhe një sërë vatrash zjarri. Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët në qytetin lindor të Ukrainës. Pamjet e publikuara tregojnë shtëllunga të mëdha tymi të zi që dalin nga disa pjesë të tregut, duke sugjeruar që kompleksi ka pësuar goditje të shumta.
Shërbimet e urgjencës thonë se 70 persona janë të përfshirë në përpjekjet për shuarjen e zjarreve, të cilat u përhapën në disa shtëpi aty pranë. Tregu, i cilësuar si një nga më të mëdhenjtë në botë, mbulon një sipërfaqe prej 300,000 metrash katrorë, sipas një postimi në Twitter nga ministria e jashtme e Ukrainës.
19:08-Sanksionet izolojnë Rusinë, Irani: Gati të ndihmojmë Moskën
Irani është paraqitur i gatshëm për të ndihmuar Federatën Ruse në një kohë kur vendi përballet me sanksione. Ndihma Rusisë do t’i vijë në sektorin e energjisë dhe karburanteve.
Deklarata u bë nga ministri i naftës Javad Owji, pas një interviste në Moskë me zëvendëskryeministrin rus Aleksandr Novak.
“Rusia na qëndroi pranë kur u vumë nën sanksione, ndaj sot e konsiderojmë detyrën tonë që të qëndrojmë përkrah saj në këto kushte të vështira dhe të ofrojmë ndihmë”, tha Owji.
Për ne, “vullneti i Teheranit për të zhvilluar bashkëpunim është i rëndësishëm, pavarësisht kufizimeve anti-ruse të Perëndimit”, tha Novak, duke theksuar rolin qendror të sektorit të karburantit dhe energjisë në marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve.
18:53-Biden ashpërson gjuhën: Putin një diktator vrasës
Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka ashpërsuar gjuhën gjatë dy ditëve të fundit, duke etiketuar homologun e tij një vrasës.
Gjatë së mërkurës Biden tha se Putin është një kriminel lufte, ndërkohë që të enjten retorika e përdorur prej tij ka qenë edhe më agresive.
Në drekën vjetore të Miqve të Irlandës në Capitol Hill, Biden tha se Putini është një “diktator vrasës, një bandit i pastër që po bën një luftë imorale kundër popullit të Ukrainës”.
“Putini po paguan një çmim të madh për agresionin e tij dhe ato janë pjesë e arsyes që kostoja po shkon kaq e lartë”, tha Biden.
Në mbështetjen e tyre për sanksionet kundër Rusisë dhe Ukrainës, Biden tha se Irlanda gjithashtu “po paguante një çmim të madh” për një kontribut që ai e quajti “jo të vogël”.
Presidenti gjithashtu iu referua thirrjes së tij të ardhshme me presidentin kinez Xi Jinping të premten, duke bërë shaka se Xi “kujton gjithçka që kam thënë”.
Kryeministri irlandez Micheál Martin ishte planifikuar të merrte pjesë në ngjarje, por u diagnostikua me Covid-19 të mërkurën. Biden, i cili sapo kishte marrë pjesë në një takim virtual me Martinin përpara se të nisej për në Capitol Hill, tha se Taoiseach i vinte “vërtet keq që nuk mund të ishte këtu” dhe se ai “ndihet mirë” pavarësisht diagnozës.
17:55-Ministri turk: Takimi Putin-Zelensky është i mundur nëse arrihet një marrëveshje
Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu u takua të enjten në Lviv me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba, një ditë pas vizitës së tij në Moskë, ku u takua me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Çavuşoğlu tha: “Nëse arrihet një marrëveshje për çështjet për të cilat ne shohim një afrim, ekziston mundësia që dy liderë të takohen”, duke iu referuar presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ministri turk tha gjithashtu se shpresat e tij për një armëpushim u rritën pas takimit me të dyja palët, megjithëse “është e vështirë të flitet për këtë kur bëhet fjalë për luftën”. Ai shtoi se Ukraina kishte propozuar Turqinë dhe Gjermaninë si vende garantuese në një “marrëveshje të sigurisë”.
“Në bisedimet e mia të djeshme në Moskë, pashë se Federata Ruse nuk kishte asnjë kundërshtim për këtë dhe se ata mund ta pranonin një propozim të tillë”, tha Çavuşoğlu. Ai theksoi se një marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët dhe popullin e tyre.
Çavuşoğlu tha gjithashtu se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan foli me Putin të enjten. Sipas një deklarate të Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, “Erdoğan përsëriti ofertën e tij për të pritur Putinin dhe Zelenskyn në Stamboll ose Ankara” gjatë bisedës së tij telefonike me Putinin, duke thënë se “konsensusi për disa çështje mund të kërkojë bisedime në nivel lidershipi”.
17:54-“Kriminel lufte”, Serbia i del në mbrojtje Putin-it: Një lider i zgjedhur në mënyrë demokratike
Serbia i ka dalë në mbrojtje liderit rus pasi ky i fundit u cilësua nga presidenti amerikan Joe Biden kriminel lufte. Reagimi vjen nga ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin, i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse.
Fjalët e Biden-it janë fyerje për Rusinë tha Vulin sot i cituar nga Tanjug. Sipas ministrit serb, Putin është një lider i zgjedhur në mënyrë demokratike në një vend sovran. Kujtojmë se presidenti amerikan e quajti homologun e tij rus “kriminel lufte”, ditën e mërkurë, ndërsa Rusia po intensifikon sulmin e saj mbi Ukrainë.
“Unë mendoj se ai është një kriminel lufte,” tha Biden.
Kjo ishte hera e para që presidenti i SHBA, Biden, apo zyrtarë të lartë amerikanë shprehen qartë për krimet ruse në Ukrainë
17:46-Ministri ukrainas: Po hartohet një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës
Një marrëveshje paqeje midis Kyivit dhe Moskës është duke u hartuar nga avokatët, por avancimi i negociatave varet nga pranimi i armëpushimit nga Kremlini, ka thënë ministri i mbrojtjes i Ukrainës, shkruan The Guardian.
Oleksii Reznikov, i cili ka udhëhequr delegacionin ukrainas në negociata, tha se puna teknike po përparonte, por Rusia duhej të ndalonte bombardimet që të ishte i mundur çdo kompromis.
Duke folur përmes video-lidhjes me eurodeputetët në komitetin e punëve të jashtme dhe nënkomitetin e sigurisë dhe mbrojtjes, Reznikov tha se liderët ndërkombëtarë, si kryeministri izraelit, Naftali Bennett, po përpiqeshin të ndërmjetësonin.
“Natyrisht, para së gjithash gjatë negociatave do të flasim për një armëpushim, për korridoret humanitare, për sigurimin e popullatës civile me evakuim, me ujë, me ushqim dhe ndoshta më vonë do ta nënshkruajmë këtë marrëveshje për paqe”, tha ai.
17:27-Bombardime në çdo moment, 90% i Mariupolit është shkatërruar
Autoritetet në qytetin lindor të Mariupolit kanë thënë se deri në 90% të ndërtesave në qytet janë shkatërruar nga forcat ruse në bombardimet e tyre të përditshme. Qyteti prej ditësh është i rrethuar nga forcat ruse.
Lesia Vasylenko, deputete ukrainase, shkroi në Twitter se qyteti po “shkatërrohet nga qielli” dhe përsëriti thirrjen e Presidentit Volodymyr Zelensky drejtuar vendeve perëndimore për të vendosur një zonë të ndaluar fluturimi mbi vend.
Raporti vjen mes raporteve se ekipet e shpëtimit në qytet po përpiqen të nxjerrin të mbijetuarit e një sulmi në një teatër, ku rreth 1000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë ishin fshehur aty. Ekipet e shpëtimit po punojnë, ndërkohë që ka bombardime të forta nga forcat ruse në veri të qytetit.
16:55-SHBA: Sulmet ruse mbi popullsinë civile janë një krim
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, gjatë një konference me homologun e tij sllovak deklaroi te enjten se sulmet ruse mbi popullsinë civile në Ukrainë janë një krim lufte.
Sipas tij sulmet e fundit të Rusisë mbi Ukrainë janë përqendruar te popullsia civile.
“Sulmet” e fundit në Ukrainë duken se përqendrohen drejtpërdrejt te civilët, dhe nëse sulmoni civilët,… ky është një krim“, tha Austin.
Më tej ai theksoi se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë “nën shqyrtim” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Ekziston një proces që ne do të kalojmë për të shqyrtuar të gjitha këto, por ne i bëjmë thirrje zotit Putin të ndërpresë këto veprime të tmerrshme, këta janë civilë dhe jo luftëtarë dhe kështu ata nuk duhet të jenë në shënjestër, “tha Austin.
Presidenti Joe Biden e quajti ditën e mërkurë presidentin rus Vladimir Putin një “kriminel lufte”, duke dënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimet ruse mbi Ukrainë.
16:39 –Bombardimet pranë Kharkiv, të paktën 21 persona humbin jetën
Autoritetet lokale në Ukrainë , kanë konfirmuar se të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur kur forcat ruse bombarduan qytetin Merefa, rreth 25 kilometra (rreth 15 milje) në jugperëndim të Kharkiv.
Mediat e huaja bëjnë me dije se sulmi ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, ku është shkatërruar një shkollë dhe një klub arti, tha zyra e prokurorit. Dhjetë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.
Objektivat civile në Kharkiv , qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, janë goditur nga bombardimet nga Rusia që nga fillimi i pushtimit muajin e kaluar.
15:50-Bombardimi i konsullatës, tension mes ministrive të jashtme të Shqipërisë dhe Rusisë
Ministria e Jashtme ka reaguar ndaj mohimit të sulmit ndaj konsullatës shqiptare në Kharkiv. Pëmes një njoftimi zyrtar, ministria e konsideron “lajm të rrem” deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë se nuk kishin bombarduar konsullatën tonë në qytetin veri-lindor të Ukrainës.
“Shqipëria dënon përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Pamjet e shembjes flasin vetë. Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme!”, shprehet ministria.
Më herët, rusët deklaruan se nuk kishin bombarduar konsullatën, madje mohuan edhe bombardimin e strukturave civile në Ukrainë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dënoi sulmet që pretendohet se janë të kryera nga forcat ruse më 6 mars, si pasojë e të cilave u dëmtuan ambientet e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkov.
Ne refuzojmë me vendosmëri akuza të tilla. Që nga fillimi i operacionit special në Ukrainë kemi deklaruar se Forcat e Armatosura të Rusisë nuk qëllojnë objektet e infrastrukturës civile, synojnë të përjashtojnë humbjen e jetëve në mesin e popullatës civile. Ne kërkojmë informimin e vërtetë të publikut“, u shpreh Maria Zakharova e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
15:47-Rusia “përjashtohet” nga hapësira
Agjencia Evropiane e Hapësirës njoftoi sot se ka pezulluar misionin ruso-evropian në Mars për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
“Ne shprehim keqardhje të thellë për viktimat njerëzore dhe pasojat tragjike të agresionit ndaj Ukrainës. Duke njohur ndikimin në eksplorimin shkencor të hapësirës, ESA është plotësisht në përputhje me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga shtetet e saj anëtare”, thuhet në deklaratën e e Agjencisë Evropiane të Hapësirës.
Gjatë një takimi në Paris, këshilli qeverisës i ESA “pranoi pamundësinë aktuale të kryerjes së bashkëpunimit të vazhdueshëm me (agjencinë hapësinore të Rusisë) Roscosmos në misionin ExoMars me nisje në vitin 2022, shkruan CNN.
15:38–Lufta në Ukrainë dhe situata e civilëve, Putin dhe Erdogan bisedë telefonike
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe ai i Rusisë kanë zhvilluar pasditen e së enjtes një bisedë telefonike. Lajmi u bë i ditur nga agjencia e lajmeve Anadolu.
Sipas raportimit të kësaj agjencie, presidenti turk bisedoi me homologun rus për zhvillimet e fundit rreth luftës në Ukrainë dhe situatës së civilëve në terren.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Turqia ka bërë të ditur se me anë të vizitës së ministrit të Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu në Lviv rikonfirmohet mbështetja e saj për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
“…Ne dialogojmë me të dyja palët sepse duam t’i japim fund armiqësive dhe të kufizojmë krizën humanitare. Mbështetja jonë do të vazhdojë edhe në këtë fushë. Në këtë moment të vështirë, shpëtimi i civilëve është prioritet, kemi shpëtuar shumë turq me ndihmën e qeverisë ukrainase dhe i mbajmë të gjitha dyert e hapura për ukrainasit dhe ata të Krimesë që jemi gati t’i mirëpresim në Turqi” , tha Cavusoglu.
15:30-Lukashenko kërcënon Ukrainën me luftë: Bëni hapa pas ose…
Presidenti i Bjellorusisë ka bërë të ditur se Bjellorusia nuk do të rrijë duarkryq nëse situata mes Ukrainës dhe Rusisë mbetet e njëjtë.
“Nëse Ukraina vijon me përshkallëzimin e veprimeve ndaj Bjellorusisë, Minsku nuk do të rrijë duarkryq,” kështu deklaroi Alexander Lukashenko, i cituar nga agjencia e lajmeve TASS.
Po ashtu, lideri i Bjellorusisë shtoi se nëse presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky refuzon të firmosë një marrëveshje me Putinin, atëherë atij do t’i duhet që të firmosë aktin e kapitullimit.
15:24-Mbështetën pushtimin e Ukrainës, Kanadaja vendos sanksione ndaj Bjellorusisë
Kanadaja ka vendosur sanksione të reja ndaj lidërve bjelloruse në përgjigje të përfshirjes së vendit në pushtimin e Ukrainës, sipas ministres të Jashtme Melanie Joly, shkruan CNN
Sanksionet përfshijnë 22 zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes të Bjellorusisë, të cilët mbështetën sulmin ndaj Ukrainës duke lejuar Bjellorusinë të shërbejë si “pikë nisje” për pushtimin rus.
“Bota është e tmerruar nga dhuna e pakuptimtë që po ndodh në Ukrainë. Ashtu siç Kanadaja po vendos sanksione të ashpra ndaj regjimit rus, Bjellorusia gjithashtu duhet të mbajë përgjegjësi për mbështetjen e sulmeve të paprovokuara të Vladimir Putinit”, tha Joy.
“Kanadaja i bën thirrje presidentit bjellorus Alexander Lukashenko që t’i japë fund mbështetjes së tij për pushtimin e Ukrainës. Ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime të mëtejshme. Bota po shikon çdo veprim të Rusisë kundër Ukrainës.”
Sipas njoftimit, Kanadaja ka sanksionuar më shumë se 500 individë dhe subjekte ruse.
15:14-Frikë nga lufta, Gjermania mirëpret mbi 187 mijë refugjatë nga Ukraina
Sipas ministrisë së Brendshme Gjermane policia e vendit ka konfirmuar se 187.428 refugjatë kanë mbërritur në Gjermani nga Ukraina.
Autoritetet theksojnë se numri real i qytetarëve të ardhur nga Ukraina mund të jetë shumë herë më i lartë nga shifrat zyrtare, për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare midis Polonisë dhe Gjermanisë, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme për CNN.
Shumica e refugjatëve që mbërrijnë në Gjermani janë gra, fëmijë dhe të moshuar, tha zëdhënësi.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin vlerësoi të hënën se më shumë 2.8 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit në fund të shkurtit.
14:02-Lufta në Ukrainë, Biden pritet të bisedojë me presidentin kinez
Presidenti i SHBA, Joe Biden, do të flasë me presidentin kinez, Xi Jinping, të premten për të diskutuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe çështje të tjera me interes të përbashkët, tha Shtëpia e Bardhë, sipas The Guardian
Kjo vjen pasi zyrtarët amerikanë paralajmëruan se Kina mund të ketë vendosur tashmë t’i ofrojë Rusisë mbështetje ekonomike dhe financiare në luftën e saj kundër Ukrainës.
Rikujtojmë se këshilltari për sigurinë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, u takua me homologun e tij kinez, Yang Jiechi. Një zyrtar amerikan tha se kinezët do të ofrojnë mbështetje ekonomike dhe financiare për Rusinë, por se deri në çfarë mase ata do të mbështesin Rusinë është ende e paqartë.
13:57-Sulmi në Konsullatën shqiptare në Kharkiv, Rusia e mohon: S’e bombarduam ne
Rusia ka hdhur poshtë akuzat për bombardimin e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv nga forcat ruse. Përmes një një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova hodhi poshtë akuzat e ministrise se Jashtme të Shqiperisë, e cila tha se në 6 mars u sulmua konsullata e nderit të Shqiperisë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dënoi sulmet që pretendohet se janë të kryera nga forcat ruse më 6 mars, si pasojë e të cilave u dëmtuan ambientet e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkov. Ne refuzojmë me vendosmëri akuza të tilla. Që nga fillimi i operacionit special në Ukrainë kemi deklaruar se Forcat e Armatosura të Rusisë nuk qëllojnë objektet e infrastrukturës civile, synojnë të përjashtojnë humbjen e jetëve në mesin e popullatës civile. Ne kërkojmë informimin e vërtetë të publikut“, u shpreh Maria Zakharova.
Ishte ministria e Jashtme për Evropën e Shqipërisë ajo që e dha lajmin e sulmit të konsullatës tonë në Kharkiv. Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, përmes një mesazhi në Twitter, duke dënuar sulmin.
“Shqipëria dënon ashpër agresionin rus që çoi në shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhej në reagimin e ministrisë, e cila ka publikuar edhe fotot.
13:44-Mbi 7 mijë ushtarë rusë të vrarë në 22 ditë luftë
Agjencia e Inteligjencës amerikane thotë se më shumë se 7,000 ushtarë rusë kanë vdekur që kur Vladimir Putin pushtoi Ukrainën muajin e kaluar.
Zyrtarët e Pentagonit thanë për New York Times se janë në gjendje të përpilojnë të dhënat e tyre duke analizuar imazhet satelitore dhe përmbajtjen videove që tregojnë tanket dhe trupa ruse.
Megjithatë, Pentagoni thekson se shifra e të vdekurve mund të jetë më e lartë.
Vlerësimet sugjerojnë se më shumë se 150,000 trupa ruse kanë hyrë në Ukrainë që nga 24 shkurti, me rreth 14,000 deri në 21,000 të plagosur. Në fillim të kësaj jave, presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se rreth 1,300 trupa ukrainase ishin vrarë në mes të luftës së vazhdueshme të Rusisë me Kievin.
13:36-Shqipëria në listën e vendeve jomiqësore të Putin, Xhaçka: Nxjerr në pah objektivat e Rusisë
Ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka i përgjigjet Rusisë e cila e futi vendin tonë në listën e shteteve armiqësore, pas vendosjes së sanksioneve. Ministrja ka thënë se “përfshirja e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në listën e shteteve jomiqësore të Presidentit Putin ka nxjerrë qartë në pah objektivat e Rusisë dhe politikën e saj të ndërhyrjes në Balkanin Perëndimor.”
Reagimi i ministres Olta Xhaçka: “Pata sot kënaqësinë të mirëpres të dërguarin e posaçëm të Qeverisë Gjermane për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin. Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga mbështetëset më të vendosura të integrimit të Shqipërisë dhe rajonit tonë në Bashkimin Europian dhe emërimi i një të dërguari të posaçëm, që ju bashkohet të dërguarve të posaçëm të SHBA, BE dhe Anglisë, është një sinjal i mirëpritur vëmendje dhe përkushtimi ndaj rajonit tonë, për të cilin e falënderova z. Sarazin e përmes tij edhe qeverinë gjermane.
Ky vendim që do të kishte qenë i mirëpritur e me një rëndësi të posaçme në çdo kohë, merr një domethënie akoma më të madhe në situatën e sotme, kur kriza e Ukrainës dhe agresioni rus ndaj atij vendi, ka treguar qartë se Evropa duhet medoemos të investojë strategjikisht në rajonin tonë, si një rajon ecuria dhe zhvillimet në të cilin kanë pasoja të drejtpërdrejta dhe afatgjata në sigurinë e vetë BE. E kemi thënë shumë shpesh, që rajoni ka nevojë për një qasje strategjike nga ana e BE dhe që kosto e izolimit të Ballkanit Perëndimor është ku e ku më e lartë sesa kosto e integrimit. Dhe sot, pas sinjaleve pozitive që na kanë ardhur nga shumë vende e përfaqësues të BE, përfshirë Përfaqësuesin e Lartë Borrell e sot z. Sarrazin, kemi arsye të shpresojmë që e gjithë Europa e ka kuptuar këtë të vërtetë.
Ajo që më bën sot veçanërisht të kënaqur dhe optimiste është kur shoh që Qeveria Gjermane ka caktuar si të dërguarin e saj një person, si z. Sarrazin që është jo vetëm një mbështetës i përkushtuar i integrimit të BP por edhe një njohës shumë i mirë i rajonit. Çka më shtyn të besoj që dialogu mes nesh nga sot e tutje do të jetë më konstruktiv e më i dobishëm. Ajo për të cilën biem dakord është që sot rajonit i nevojiten veprime konkrete nga ana e BE. Fjalë të mira kemi dëgjuar shumë, por sot është koha për të vepruar e për të shënuar arritje të prekshme. Duke filluar sigurisht nga caktimi i një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare e duke vazhduar domosdoshmërish me artikulimin e një vizioni të qartë e të prekshëm integrimi për çdo vend të rajonit, sidomos në zonat ku sot ka më shumë tensione e potencial për konflikt. Dhe le të mos harrojmë që potenciali për konflikt në rajonin tonë, ende përpara fillimit të luftës në Ukrainë, ka qenë më i lartë se kurrë në ndonjë pikë tjetër në 20 vitet e fundit.
Në këtë kontekst, dhënia e një perspektive të qartë dhe një angazhim i prerë dhe i vendosur për Bosnje Herzegovinën dhe Kosovën, duke filluar me liberalizimin e merituar të vizave për Kosovën, do të ishin hapa të mirëpritura e të dobishme. E garantova z. Sarrazin që Shqipëria ashtu siç ka bërë tradicionalisht do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti në rajon. Ashtu siç do të vazhdojnë të jenë një faktor stabiliteti dhe garanci për perspektivën euro-atlantike të rajonit shqiptarët kudo që janë.
Është kjo arsyeja përse Shqipëria sot ka ndërmarrë nisma shumë të guximshme rajonale e përse Shqipëria sot po luan një rol kaq të dorës së parë krahas aleatëve e partnerëve edhe lidhur me çështjen e Ukrainës. Por sigurisht që kjo nuk është një përpjekje ku mjaftojnë puna e përkushtimi i Shqipërisë. Na duhet përkushtimi dhe angazhimi i prerë e i besueshëm i BE i të gjithë aleatëve, sidomos në një kohë kur kriza në Ukrainë ka krijuar kaq shumë pasiguri e destabilizim. Na duhet mbështetja e BE jo vetëm përmes avancimit të procesit të integrimit por edhe duke na përfshirë, ashtu si në rastin e pandemisë, në paketat mbështetëse për kapërcimin e pasojave të luftës. Sepse kriza e shkaktuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërcënimet ndaj të gjitha shteteve që e kanë mbështetur vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, kanë rritur rrezikun e destabilizimit të disa shteteve të rajonit, ashtu siç përfshirja e Shqipërisë, Malit te Zi dhe Maqedonisë se Veriut në listën e shteteve jomiqësore të Presidentit Putin ka nxjerrë qartë në pah objektivat e Rusisë dhe politikën e saj të ndërhyrjes në Balkanin Perendimor. Unë jam shumë e kënaqur me bisedën që zhvilluam sot dhe me mirëkuptimin që patëm dhe jam shumë optimiste që në vijim do të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer për të çuar më tej punën dhe mbështetjen që ka dhënë tradicionalisht qeveria gjermane“, thuhet në reagim.
Qeveria e Federatës Ruse miratoi në 7 mars një dekret qe përmban një listë shtetesh dhe territoresh të huaja që sipas saj, kryejnë “veprime armiqësore” kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.Lista e vendeve që kryejnë “veprime armiqësore” kundër Rusisë përfshin Ukrainën, SHBA, shtetet e BE, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Andorrën, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marinon, Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Mikronezinë, Zelandën e Re, Singaporin dhe Tajvanin. Në këtë listë janë edhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, tri shtetet e Ballkanit Perëndimor anëtare të NATO-s. Vendet dhe territoret e sipërpërmendura janë ato që vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të operacionit të posaꞔëm ushtarak të Forcave të Armatosura ruse në Ukrainë.
12:50-Gjermania: NATO nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë
NATO nuk do të rrezikojë përshkallëzimin e luftës në Ukrainë duke ndërhyrë ushtarakisht, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, shkruan CNN
“Është detyra kryesore e aleancës të garantojë sigurinë e të gjithë anëtarëve,” tha ai.
Gjermania po dërgon ndihma financiare dhe humanitare në Ukrainë, por Berlini ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të dërgojë avionë luftarakë për të ndihmuar forcat ukrainase luftën kundër rusëve.
“Fati i njerëzve në Ukrainë na ka prekur të gjithëve,”tha Scholz pas një fjalimi të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në parlamentin gjerman.
“Putin i ka shkaktuar vuajtje të tmerrshme njerëzve në Ukrainë. Ne do të qëndrojmë pranë Ukrainës”.
Scholz shtoi se Putin është i vetmi përgjegjës për vdekjen e të rinjve rusë.
12:35-Bilanci tragjik i luftës, 107 fëmijë janë vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë
Të paktën 107 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 120 janë plagosur që kur Rusia pushtoi Ukrainën, sipas një deklaratë të autoriteteve të Ukrainës, shkruan BBC
Shumica e viktimave janë raportuar në rajonet e Kievit, Kharkiv, Donetsk, Chernihiv, Sumy, Kherson, Mykolayiv dhe Zhytomyr. Mbi 410 institucione arsimore janë dëmtuar nga bombardimet dhe 63 prej tyre janë shkatërruar plotësisht.
Ndërsa janë shkatëruar të paktën 11 spitale.
11:26-Britania: Pushtimi rus “ka ngecur në të gjitha frontet”
Ofensiva e Rusisë në Ukrainë “ka ngecur në të gjitha frontet” ka thënë Ministria e Mbrojtjes në Britani të Madhe, më 17 mars.
Në vlerësimin e saj është thënë se forcat ruse “kanë bërë përparim minimal në tokë, det apo ajër në ditët e fundit dhe se vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha”.
“Rezistenca ukrainase vazhdon të mbetet e koordinuar mirë. Pjesa më e madhe e territorit ukrainas, përfshirë qytetet e mëdha, vazhdojnë të jenë në duart e ukrainasve”.
11:22-Lufta në Ukrainë, Putin po kërkon një “kokë turku” për t’i shpëtuar përgjegjësisë
Fjalimi i Vladimir Putin përpara popullit rus të mërkurën në mbremje ishte i jashtëzakonshëm. Gjatë fjalimit, ne pamë një president rus që po lufton në të gjitha frontet, shkruan BBC
Ai tha se i ashtuquajturi operacioni i tij special ushtarak po shkon sipas planit, madje e justifikoi sulmin në Ukrainë duke e cilësuar një akt vetëmbrojtjeje. Por ai e di se situata në Rusi është tensionuar. Ai e di se vala e sanksioneve ndërkombëtare do të shkaktojë dhimbje masive ekonomike dhe potencialisht trazira sociale.
11:11-Ndërpritet transporti hekurudhor në Poloni, mijëra refugjatë ukrainas në pritje
Transporti hekurudhor është ndërprerë në Poloni për shkak të problemeve në sistemin e kontrollit të trafikut, sipas autoriteteve të vendit, shkruan skynews
Ndërprerja ka prekur të gjithë vendin, përfshirë 510 milje linja të transportit.
Sistemi hekurudhor polak është një mjet kyç transporti për ukrainasit që po i largohen agresiont rus dhe operatorët thanë se po bashkëpunojnë me ministrinë e infrastrukturës në mënyrë që linjta të fillojnë të funksionojnë sa më shpejt duke mos penguar evakuimin e civilëve.
10:55-Rizgjimi i gjigantit të Europës, fakte dhe shifra: Çfarë na pret tani
Pacifizmi i Gjermanisë pas luftës ishte dikur ngushëllues për fqinjët e saj dhe për vetë gjermanët. Megjithatë, me kalimin e brezave, qëndrimet kanë ndryshuar. Evropianët e ndjeshëm prej kohësh nuk e shohin Gjermaninë më si një kërcënim.
Përkundrazi, pasiviteti i politikës së saj të jashtme ka paraqitur më shumë një rrezik vitet e fundit, duke inkurajuar agresorët si Vladimir Putin. Më në fund, pushtimi i paprovokuar i Putinit në Ukrainë i ka bindur gjermanët që ta marrin seriozisht sigurinë.
Në një video të postuar në internet më 13 mars, lideri çeçen i Putinit, Ramzan Kadyrov duket se po diskuton taktikat me ushtarët e tij. Udhëheqësi i Republikës Çeçene, një rajon me mbizotërim mysliman në Kaukazin e Veriut të Rusisë, qëndron përpara një flamuri çeçen të stolisur me një ilustrim të babait të tij, Akhmad.
10:27-Ish-deputeti serb jep alarmin: Ballkani, integrim të shpejtë në BE, ndryshe Putini do të na trazojë
Në serinë e takimeve që zhvilloi me udhëheqësit botërorë para nisjes së pushtimit të Ukrainës, Vladimir Putin këmbënguli se Rusia është e rrezikuar, ndaj ka të drejtë të “ndërhyjë” për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis Perëndimit dhe Rusisë.
10:19-Zelensky mbyll fjalimin duke iu drejtuar politikanëve gjermanë: Na ndihmuat shumë vonë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përfunduar fjalimin e tij në Bundestagun gjerman në Berlin, shkruan BBC
Ai falënderoi Gjermaninë për ndihmën e saj, por u tha ligjvënësve se mbështetja e tyre ishte shumë e vonë për ti dhënë fund luftës”.
“Cila është përgjegjësia historike e Gjermanisë ndaj Ukrainës sot?”
10:07-Ukraina: Rusia po kryen gjenocid në Mariupol, 20 mijë civilë të vrarë
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, në lidhje me Komitetet e Jashtme dhe të Mbrojtjes të Parlamentit Evropian, është shprehur se Rusia po bën gjenocid në Mariupol.
Sipas Reznikov, Mariupol ka qenë një qytet me 400 mijë banorë, prej tre javësh është në kushte mbijetese pa ujë, rrymë, goditet vazhdimisht nga raketa, bombardohen edhe autokolona humanitare.
09:58-Ministria ruse e mbrojtjes: Vazhdojnë bisedimet e paqes me të dyja palët
Bisedimet e para të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë kanë filluar 4 ditë pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt. Por pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme nuk është arrirë ende asnjë marrëveshje mes palëve, shkruan skynews
Por bisedimet me Ukrainën po vazhdojnë përmes videove, me të dyja palët, të cilat janë fokusuar në çështjet ushtarake, politike dhe humanitare. Negociatat kanë rifilluar një ditë pasi ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se statusi neutral për Ukrainën po “diskutohej seriozisht”.
09:39-Ditë të këqija për Putin, faqet e qeverisë ruse përballen me sulme kibernetike
Uebsajtet e Kremlinit në Rusi po përballen me sulme kibernetike të paprecedenta, ka raportuar agjencia e lajmeve TASS.
Kompanitë shtetërore janë vënë në shënjestër së fundmi.
Huadhënësi më i madh rus Sberbank dhe kompania e saj kryesore Aeroflot janë ndër ato që kanë parë ndërprerje ose probleme aksesi në javët e fundit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është duke mbajtur një fjalim në Bundestagun gjerman në Berlin, ku ka lëshuar kritika të ashpra ndaj liderëve perëndimorë.
Zelensky tha se ndërsa forcat ruse po mblidheshin në kufirin ukrainas përpara pushtimit, udhëheqësit perëndimorë vepruan shumë ngadalë dhe nuk bënë aq sa duhej për të penguar Rusinë.
09:04-Kina: Nuk do ta sulmojmë kurrë Ukrainën
“Kina nuk do ta sulmojë kurrë Ukrainën. Ne do të ndihmojmë, veçanërisht ekonomikisht. Në këtë situatë ne do të veprojmë me përgjegjësi,” tha ambasadori i Kinës në Ukrainë, Fan Xianrong, gjatë një takimi me Maksym Kozytsky, kreun e administratës ushtarake rajonale në Lviv.
08:58-U vra në vijën e parë të luftës, Ukraina bën homazhe për mjeken e ushtrisë
Në vijën e parë të luftës në Ukrainë për të mbrojtur vendin e tyre kanë dalë edhe vajzat. Për të shumtë kanë qenë ata që kanë ndërruar jetë. Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka nderuar një nënë ukrainase të gjashtë fëmijëve, e cila u vra në luftime.
Olga Semidyanova, 48 vjeç, vdiq duke luftuar kundër forcave ruse pasi shërbeu si mjeke ushtarake që nga viti 2014 në rajonin e Donetsk, një zonë që ka qenë në konflikt prej vitesh.
08:50-Ukraina: 53 persona janë vrarë në Chernihiv ditën e djeshme, mes tyre 3 fëmijë
53 persona janë vrarë nga forcat ruse, ditën e djeshme në Chernihiv, sipas një deklarate të guvernatorit rajonal, shkruan skynews
Sipas raporteve, trupat e 3 fëmijëve janë gjetur në një ndërtesë që ishte goditur nga sulmet ruse. Dhjetë persona janë qëlluar për vdekje nga forcat ruse teksa po prisnin në radhë për bukë, tha ambasada amerikane në Kiev.
08:40-Ministri polak dënon Putin për krime lufte
Zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz, reagoi në lidhje me bombardimin e teatrit, i cili u sulmua dje nga rusët. Në një deklaratë për BBC zyrtari tha se bombardimi i teatrit është një tjetër shenjë se forcat e Vladimir Putin po përdorin taktika më brutale.
Przydacz tha se pajtohet me karakterizimin e presidentit amerikan Joe Biden për liderin rus si “kriminel lufte”.
Gjashtë vende perëndimore të mërkurën bënë thirrje për një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën përpara një votimi të pritshëm të premten mbi një rezolutë humanitare ruse, e cila nuk përmend përgjegjësinë e saj për luftën kundër fqinjit të saj më të vogël.
“Rusia po kryen krime lufte dhe po vë në shënjestër civilët. Lufta e paligjshme e Rusisë ndaj Ukrainës është një kërcënim për të gjithë ne”, shkroi në Twitter përfaqësuesi i Britanisë në OKB, një nga gjashtë vendet që kërkuan takimin.
08:29–OKB: Më shumë se 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina deri më tani
Sipas vlerësimeve të OKB-së, më shumë se tre milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, shkruan The Guardian
Shumica prej tyre janë strehuar në Poloni, të cilat kanë mbërritur në kufi me tren ose autobus.
08:25-Bombardohet shkolla në Kharkiv, luftë për të shuar zjarrin
Një raketë ruse ka bombarduar një shkollë rreth orës 03:30 të natës në Merefa, qytet në rajonin e Kharkiv, Ukrainës.
Sipas Shërbimeve Shtetërore të Emergjencave të Ukrainës godina e shkollë është shkatërruar plotësisht.
07:55-FOTO/ Japonia: Kemi parë 4 anije luftarake ruse, mund të çojnë trupa në Ukrainë
Katër anije të mëdha luftarake ruse janë parë duke lundruar pranë ishujve japonezë Honshu dhe Hokkaido ndërsa udhëtonin në perëndim, ndoshta drejt Evropës, raporton Reuters. Lajmi është bërë me dije nga ministria e Mbrojtjes së Japonisë e cila ka publikuar foto të anijeve që po kalonin. I pyetur nëse ata mund të nisen për në Ukrainë, një zëdhënës i ministrit japonez të mbrojtjes i tha Reuters, “është e mundur”.
07:35-Lufta Rusi-Ukrainë, Kuleba: Delegacionet larg marrëveshjes për situatën aktuale
Ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina janë larg marrëveshjes për situatën aktuale. “Duhet të jem i qartë, të dy delegacionet, ai rus dhe ai ukrainas, janë larg arritjes së një marrëveshjeje për situatën aktuale”. Sipas tij ka një sërë faktorësh që ndikojnë.
07:32-Lufta Rusi-Ukrainë, Kuleba: Delegacionet larg marrëveshjes për situatën aktuale
Ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina janë larg marrëveshjes për situatën aktuale. “Duhet të jem i qartë, të dy delegacionet, ai rus dhe ai ukrainas, janë larg arritjes së një marrëveshjeje për situatën aktuale”. Sipas tij ka një sërë faktorësh që ndikojnë.
/abcnews.al