Takimi Kinë-SHBA, Rusia shpreson të shpëtojë nga sanksionet, amerikanët kanë një paralajmërim

schedule19:24 - 13 Mars, 2022

schedule 19:24 - 13 Mars, 2022

Rusia tha se po mbështetej te Kina për ta ndihmuar atë të përballonte goditjen ndaj ekonomisë së saj nga sanksionet e vendeve Perëndimore, por Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Pekinin që të mos e sigurojë atë shpëtim.

Ministri rus i financave, Anton Siluanov, tha se sanksionet e kishin privuar Moskën nga aksesi në 300 miliardë dollarë, nga 640 miliardë dollarë rezerva të arit dhe valutës, dhe shtoi se kishte presion mbi Pekinin për të mbyllur më shumë.

“Ne kemi një pjesë të rezervave tona të arit dhe valutës në monedhën kineze, në juan. Dhe ne shohim se çfarë presioni po ushtrohet nga vendet Perëndimore ndaj Kinës për të kufizuar tregtinë e ndërsjellë. Natyrisht, ka presion për të kufizuar aksesin në ato rezerva”, tha Siluanov.

“Por unë mendoj se partneriteti ynë me Kinën do të na lejojë të ruajmë bashkëpunimin që kemi arritur, dhe jo vetëm ta ruajmë, por edhe ta rrisim atë në një mjedis ku tregjet perëndimore po mbyllen”, shtoi ai.

Vendet Perëndimore kanë vendosur sanksione të paprecedentë ndaj sistemit korporativ dhe financiar të Rusisë që kur ajo filloi agresionin ushtarak në Ukrainë, raporton Yahoo, përcjell Klankosova.tv.

Komentet e Siluanov në një intervistë televizive shënuan deklaratën më të qartë deri më tani nga Moska se do të kërkojë ndihmë nga Kina për të zbutur krizën.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, tha se Uashingtoni ka paralajmëruar Kinën që të mos e përkrah Rusinë.

“Ne po i komunikojmë drejtpërdrejt dhe privatisht Pekinit, se do të ketë pasoja për sanksione në shkallë të gjerë, nëse Kina ofron mbështetje për Rusinë”, tha Sullivan.

“Ne nuk do të lejojmë që Rusia të ketë një litar shpëtimi nga këto sanksione ekonomike nga asnjë vend, kudo në botë”, shtoi Sullivan, i cili do të takohet të hënën me kryediplomatin kinez, Yang Jiechi, në Romë.

Rusia dhe Kina kanë forcuar bashkëpunimin kohët e fundit pasi të dyja janë nën presion të fortë Perëndimor mbi të drejtat e njeriut dhe një sërë çështjesh të tjera. Pekini nuk e ka dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe nuk e quan atë një pushtim, por ka kërkuar një zgjidhje me negociata.

Presidentët Vladimir Putin dhe Xi Jinping u takuan në Pekin më 4 shkurt dhe njoftuan një partneritet strategjik që ata thanë se synonte të kundërshtonte ndikimin e Shteteve të Bashkuara, duke e përshkruar atë si një miqësi pa kufij.

Kina është tregu kryesor i eksporteve të Rusisë pas Bashkimit Evropian. Eksportet ruse në Kinë ishin me vlerë 79.3 miliardë dollarë në vitin 2021, me naftë dhe gaz që përbënin 56 përqind të eksporteve, sipas agjencisë doganore të Kinës. /Gazeta Express/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!