“Voskopoja e palegalizuar”! Banorët prej dy dekadash presin të bëhen pronarë

schedule16:59 - 12 Mars, 2022

schedule 16:59 - 12 Mars, 2022

Thanas Zguri është një prej  banorëve të vjetër të Voskopojës, që nuk po legalizon dot shtëpinë e ndërtuar dy dekada më parë. Edhe pse banesën e ka ngritur mbi tokën e trashëguar nga paraardhësit, nuk ka mundur ta regjistrojë në hipotekë.

“Thanas Zguri e kam ndërtuar në 2000 I kam plotësuar dokumentet kanë bërë dhe matjet. Na thonë Voskopoja ka probleme. Ne jemi banorë të vjetër kemi truallin tonë këtu nga babai nga gjyshi. Kemi dëgjuar se do legalizohemi të fundit sikur është Serbi këtu. Çdo gjë e kemi bërë sipas lejes së ndërtimit e kur bënë matjet kanë dalë në rregull. Jemi në pritje. Vetëm dy veta kanë nxjerrë, që janë të lidhur me qeverinë. Ka 7-8 vjet që është futur për legalizmi e prit, prit.”

Edhe vajza e tij, që ka ndërtuar shtëpinë në vitin 2010 gjithashtu nuk ka marrë certifikatë pronësie. Nuk janë pak por 180 familje që kanë të njëjtin problem. Kanë shumë vite që kanë plotësuar dosjen për legalizimin e ndërtimeve.

“Shtëpia është bërë që në 1993 e presim akoma s’na i kanë dhënë. Kemi shpresë se do na i japin. Kam gati 30 vjet.”

“Premtojnë e kam plotësuar që në 2006 dosjen. s‘bëj dot asnjë veprim. Nuk shtoj dot asgjë se thonë e ke në proces legalizmi të rregulloj ballkonin a të bëj diçka tjetër.”

Pritja e gjatë është krijuar pas një vendimi të Këshillit të Ministrave i vitit 2003, që shpalli Voskopojën zonë historike, duke ndaluar çdo lloj ndërtimi dhe zhvillimi të fshatit. Abc mëson se Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur punën për të gjetur një zgjidhje për legalizmin e banesave në zonat historike.

Legalizimi i këtyre objekteve do të varet edhe nga plotësimi I kritereve urbanistike të përcaktuara në rregulloren e re për administrimin e zonave historike të vitit 2020. Nëse kërkohet që ballkonet e një ndërtese të jenë druri, do të prishen ato me tulla apo me beton dhe do të bëhen të reja.

Drejtori i Kulturës në Korçë, Gjergji Koki, sqaron se rregullorja e përcakton qartë kufirin se ku lejohen apo ndërtimet.

Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare, Rregullorja e re e miratuar në 2020 e konsultuar gjerësisht me banorët e Voskopojës është e ndarë në dy nivele mbrojtje. Është qendra historike përreth kishave që janë pasuri kulturore shumë të rëndësishme, që nuk lejohen ndërtimet, zero, ndërtim. Në pjesën tjetër mund të ndërtohet në bazë të kritereve të përcaktuara shumë qartë nga Instituti i Monumenteve. Ndërtimet të kenë një lloj uniteti. /abcnews.al/