Në një reagim sot për këtë konflikt, kryeministri Rama tha se e njeh shqetësimin e këtyre banorëve, por qeveria, sipas tij, nuk mund të zhbëjë vendimet e gjykatave. Rama u shpreh se sjellja e uniformave përballe banorëve të kësaj shtëpie nuk ishte dinjitoze. Policia, sipas tij, duhet të jetë me mendje dhe zemër.
Edhe kryeministri e pranoi se Policia e Shtetit nuk ishte dinjitoze në reagimin përballë disa familjarëve gjatë ekzekutimit të një vendimi gjyqësor për lirimin e banesës së tyre përballë shkollës Petro Nini.
“Me ligj vendimet ekzekutohen nga përmbarimi, kur kërkon mbështetjen e policisë, policia është e detyruar që ta mbështesë. Duke shkuar në mbështetje të përmbarimit policia zbatoi ligjin, por edhe pse prania ishte kërkesë e ligjit, sjellja e saj nuk ishte dinjitoze, trupa ishte nisur pa përgatitje, ku u krijuan vetëm skena të panevojshme, me njerëzit që shtriheshin në rrugë dhe policia nuk dinte se cfarë bënte.
Lidhur me ngjarjen e djeshme te Petro Nini, u provokua qëllimisht irritimi i njerëzve pa u dhënë informacion faktik. unë do të them cfarë di unë, pasi jam informuar në detaje, që edhe për mua dje ishte irrituese”.
Në rubrikën “Përgjigja ime”, përveç kritikës pati edhe një mesazh për policët.
“Policia duhet të jetë me mendje dhe zemër. Lirimi i drejtuesit të Tiranës ishte mesazh se të jesh në rregull me ligjin nuk mjafton, pasi duhet dicka më shumë. Por ana e errët që ka të bëjë me kanalet dhe portalet e kthyen përmbys të vërtetën. Aty nuk është dhënë leje për pallat dhe IKMT nuk ishte aty”.
Kreu i qeverisë thotë se e njeh rastin konkret për shkak të ankesës së familjarëve. Por është i bindur se ekzekutivi nuk mund të zhbëjë vendimet e gjykatave.
“Jam kontaktuar nga banorët kohë më parë dhe e kam marrë informacionin se janë në konflikt me palën tjetër që ka fituar me gjyq. Të zotët aktuale e kanë humbur me vendim gjykate të formës së prerë, ndërsa trashëgimtarët kanë fituar.
A është i drejtë vendimi i gjykatës? Na pëlqejnë nuk na pëlqejnë, në sistemin që kemi zgjedhur nuk ka qeveri që i zhbën. Reforma mund ta reformojë sistemin dhe ta clirojë nga korrupsioni dhe ta bëjë të denjë. Ky clirim nuk është fjalë goje, kërkon mund, durim, kohë, por ajo që qeveria nuk mund të bëjë, është që të bëjë gjykatësin. I drejtë apo i padrejtë këtë nuk e dimë dhe vendosim në diskutim”.
Kryeministri garanton se në atë vend nuk është dhënë leje ndërtimi për pallat dhe nuk ka asnjë plan rregullues. Ndërsa për banorët që preken nga ky vendim gjyqësor përsërit zgjidhjen e ofruar nga Bashkia.
“Bashkia u ka ofruar banesë sociale familjes, e cila ka ndërtuar një shtesë pa leje, që kërkon legalizim. Kjo për të kujtuar se cfarë kanë bërë me pronat ata që na kanë qeverisur. Qeveria nuk është e përsosur, por ka një virtyt, ka sytë dhe veshët katër për të parë dhe dëgjuar”.
I bindur se po bën jo vetëm gjënë e duhur, por edhe ndryshe nga tjerët në atë post, e mbyll përgjigjen e tij me një batutë pikante.
“Kur të mos më keni do më kujtoni, por deri atëherë ka kohë. Rëndësi ka të na bashkojë qëllimi i mirë”. /abcnews.al