Është mbyllur në barazim pa gola sfida mes Kukësit dhe Vllaznisë në “Elbasan Arena”. Një ndeshje që nuk kishte shumë histori, me skuadrat që u “zgjuan” vetëm në 10 minutat e fundit, ku kërkuan me ngul edhe golin që do iu jepte fitoren, por përsëri vetëm 3 goditje ishin në portë.
Verilindorët e Diego Longos dhe shkodranët e Thomas Brdaric kishin mes tyre një sfidë direkte për vendin e tretë pasi ndanin të njëjtën kuotë pikësh, por që nuk arritën të dilnin fituese asnjëra prej tyre, duke vazhduar të jenë po me pikë të barabarta, me Partizanin që i “kërcënon” për ventin e 3-të.
Nga njëra ana Aralica dhe Hakaj dhe nga ana tjetër Basha dhe Taipi kërkuan të kërcënon portat respektive por pa mundur të dërgonin topin në rrjetë, me pjesën e parë që mbyllet shumë e vakët.
Pjesa e dytë do të shikonte Kukësin më kërkues por përsëri pa mundur të gjente golin, në minutën e 73-të Aralica tentoi të befasonte me një lëvizje akrobatike. Tafas i mohoi golin, sikurse bëri gjashtë minuta më Zogovic pas një goditjeje me kokë të Feijao. Në minutat e fundit Zinedin Mustedanagic provoi në dy raste, por e çoi topin jashtë kuadratit. Kështu gjithçka u mbyll me rezultati 0-0.
Verilindorët e Longos kanë “harruar” të fitojnë, teksa kjo është ndeshja e 4-të që nuk marrin fitore, ndërsa kanë dy barazime dhe dy humbje, ndërkohë nga krahu tjetër kuqeblute e Brdaric pas fitores me Dinamon, “ngecin” ndaj Kukësit. /f.a/abcnews.al