Në një konferencë me gazetarët, dy ditë para zgjedhjeve të 6 Marsit në 6 bashkitë pa kryetar kryekomisioneri Ilirjan Celibashi paralajmëroi të gjithë shkelësit e Kodit Zgjedhor se do të shkojnë para organeve të drejtësisë.
Celibashi u bëri thirrje qytetarëve apo edhe përfaqësuesve politikë të evidentojnë rastet e shkeljeve dhe t’i denoncojnë ato.
“Kushdo që do të tentojë të angazhohet me një proces të shitblerjes së votës dhe ndikimit mbi vullnetin e qytetarëve do të ketë pasoja. Nuk më vjen mirë ta sjell në vëmendje por tashmë një pjesë jo e vogël e atyre rasteve dhe personave që KQZ i ka evidentuar si shkelës të Kodit Zgjedhor janë duke u ballafaquar me organet e drejtësisë.
Nëse dikush e ka guximin të ketë ballafaqim me organet e drejtësisë, mund ta bëjë. Ftoj ata qytetarë apo edhe përfaqësues të partive politike që në çdo rast që do evidentojnë shkelje t’i denoncojnë në organet e ndjekjes penale”, tha ai. /abcnews.al