Policia ka finalizuar dy operacione kundër trafikut të emigrantëve të huaj në vendin tonë. Në pranga janë vënë 3 persona ndërkohë që janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar automjetet dhe aparatët celularë që përdoreshin nga trafikantët për të bërë të mundur zbulimin e bashkëpunëtorëve të tyre. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
“Finalizohen me sukses dy operacione policore të koduara “ROAD GUARD 4” dhe “ROAD GUARD 5”. Goditen brenda disa orësh, dy raste të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Transportonin emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 3 shtetas, shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre. Sekuestrohen dy automjete dhe tre aparate celulare.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 4”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. D., 26 vjeç dhe E. A., 24 vjeç, banues në Sarandë.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi u kapën në flagrancë, në aksin rrugor Qafë Muzinë-Gjirokastër, duke transportuar me automjetin e tyre, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit M. N., 21 vjeç dhe A. A., 25 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë veprimeve hetimore kanë rezultuar bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celulare.
Gjithashtu, po nga këto struktura, pas një pune të mirorganizuar u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 5”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi K. C., 29 vjeç, banues në Kavajë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u kap në flagrancë, në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, duke transportuar me automjetin e tij, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe një aparat celular. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë. /abcnews.al