Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni e cilëson si të papërgjegjshme deklaratën e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i cili të martën tha në emisionin “Mbrëmje Ide” për sa i përket djegies së mandateve se “Është një precedent i cili i tregon kujtdo autokrati apo kujtdo politikani që ka në kokën e tij që mund të qeverisë në kokën e tij në të ardhmen, nuk ka rëndësi i djathtë apo i majtë, që nuk mund të qeveriset në këtë formë duke kapur të gjitha pushtetet, duke prishur ndarjen e pushteteve, që është baza, themeli i çdo sistemi demokratik, ndarja e pushteteve. Precedenti është ky. Kush mendon se mund të qeverisë në të ardhmen njësoj me Edi Ramën do të bjerë. Bie dhe bie keq për të mos u kthyer më. Ky politikan do të zhduket përfundimisht si model, jo vetëm si individ nga skena politike shqiptare. Dhe këtë do ta bëjnë shqiptarët, do ta bëjnë edhe të majtët, do ta bëjnë edhe socialistët. Do jetë precedenti që do u tregojë shqiptarëve që si mund të qeveriset në mënyrë që të arrijnë në BE”.
Nga i njëjti emision, Hyseni tha se mandatin për të qenë në opozitë ose në qeveri ta jep vetëm populli.
“Besoj si ai zotëri, apo të tjerë janë njerëz që pavarësisht se janë në krahun tjetër kanë vlera, vlera që mund t’i shërbenin Shqipërisë në këto momente dhe në vijim, por nëse zgjedhin të përkrahin teori të tilla që lënia e mandateve është një mekanizëm i cili do i bëjë qeveritë më të përgjegjshme janë totalisht të papërgjegjshme. Nuk konceptohen në sistemin demokratik që ta jep populli, ta jep populli nuk ke të drejtë ta vlerësosh ti e mbaj s’e mbaj. Ke një zgjidhje o je i denjë ta mbash mandatin se është shumë e rëndë o në qeveri, o në opozitë. Nëse zgjedh të shkosh para popullit duhet të kesh këllqe. Këta nuk kanë këllqe, këta zgjodhën rrugën e mbraptë”, tha Hyseni.
Megjithatë, deputetin Partisë socialiste u shpreh gjithashtu se mazhoranca është e hapur për dialog, por jo për parimet bazë të demokracisë.
“Ne jemi të hapur. Kryeministri ka shtrirë dorën e dialogut. Të gjithë drejtuesit e PS-së janë shprehur hapur për dialog. Kemi shumë tema për të diskutuar, temën e madhe të integrimit, jemi në një fazë shumë të rëndësishme, ku në Qershor mund të ketë një rivlerësim nga KE ku mund të jemi një derë larg integrimit. Kemi nevojë për dialog për Kodin Zgjedhor, për çështje në përgjithësi, e shumë tema të tera, që unë mendoj se ne si shqiptarë do ulemi të dialogojmë vetëm mirë do jetë. Duhet të bëjmë me dije se me dialog nuk nënkuptojmë të negociojmë principet e demokracisë, parimet bazë mbi të cilat mbështet shteti ligjor, shtet i cili me vështirësi të shumta të këtij tranzicioni mendojmë se është konsoliduar. Këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe partnerët tanë që na monitorojnë në çdo fazë”, tha Hyseni.
Hyseni tha gjithashtu se mazhoranca misionin e saj e ka të kënaqë popullin dhe jo opozitën. Sipas tij, opozita po përgatitet për zgjedhje në Qershor. Për të djegia e mandateve është kryer në një moment ku ata nëpërmjet sondazheve kanë kuptuar që do dalin më keq se në zgjedhjet e kaluara.
“Zgjedhjet bashkiake nuk kanë ardhur akoma. Mos të bëjmë parashikime që dyshojnë se si do dalin. Opozita po përgatitet për zgjedhje. Këto veprime destabiliteti i bëjnë se në sondazhe dalin edhe më keq se zgjedhjet e kaluara. Ky sistem është demokratik, marrëdhënien e kemi me sovranin. Ne kemi përgjegjësi para popullit shqiptar. Ne nuk jemi votuar as për të bërë kompromise në kurriz të parimeve bazë të demokracisë”, tha ai./abcnews.al