Protestë e tifozëve në Madrid pas eleminimit të Realit nga Championsi. Kampionët e Europës u turpëruan nga Ajaksi, duke u mundur 4-1 në fushën e tyre.
Nuk mund të habitet kush nga kjo kryengritje. Tifozët e Realit rrethuan stadiumin “Santiago Bernabeu”, në një protestë pas turpit ndaj Ajaksit.
Madrilenët u eleminuan nga Championsi, dhe futbollistët u larguan sikur po arratiseshin, për t’i shpëtuar zemërimit të përkrahësve të tyre. Reali nuk do ta mbrojë titullin kampion të Europës, pasi e fitoi tri herë radhazi në vitet 2016-2018.
Nuk u eleminua nga ndonjë superfuqi e sotme, si Juventusi, Barcelona, Liverpuli, Paris SG apo Mançester Siti, por nga një lavdi e vjetër dhe që nuk mendohej se mund t’ia dilte, nga Ajaksi.
Dalja e Madridit nga Championsi ishte e denjë për një ndryshim epokal, pas një katastrofe të vërtetë, humbjes 1-4 ndaj skuadrës pa përvojë holandeze.
Zijah e Neres i dhanë epërsinë e hershme 2-0 Ajaksit që në minutën e 18-të, ndërsa Reali kurrë më parë në Champions nuk kishte pësuar kaq shpejt dy gola.
Dushan Tadiç shënoi një gol të madh, veçse pas polemikave në minutën e 62-të, ndërsa trajneri Solari kishte mbetur pa Vinisiusin dhe Lukas Vaskezin të dëmtuar.
Asensio u duk se dha shpresë me golin e minutës së 70-të, ndonëse Realit i duheshin tre rrjeta gjithsej. Fund i iluzioneve ishte goli i madh i Lase Shones shumë shpejt, në minutën e 72-të.
Ajaksi mori hakun ndaj madrilenëve pas shumë zhgënjimeve radhazi, e kalon në çerekfinale, duke kapërcyer edhe humbjen 1-2 në Amsterdam.
Tifozët në stadium lëshuan edhe thirrje “Florentino dorëhiqu”, ndërsa gazetat bënë pyetjen: Çdo të ndodhë deri në fund të sezonit?
“Këtu vdiq një ekip që bëri histori”, ishte titulli kuptimplotë i gazetës “Marka”, që shton se ky ishte një fund turpërues i një cikli të papërsëritshëm!
“Javë tragjike, – komenton “AS”, – në 6 ditë Reali mbeti pa kupën, kampionatin dhe Championsin”!
Që nga 17 shkurti, Reali i Madridit kaloi nga “purgatori” në “ferr”.
Bilanci i skuadrës më të madhe të historisë, në 3 javët e fundit është e denjë për cilindo ekip të fundit të renditjes, me dy humbje e një fitore në La Liga, një humbje me eleminim në Kupën e Mbretit dhe një humbje po me eleminim në Champions.
Nëse mbledhim golat, bilanci është edhe më turpërues, plot 4-11.
“Unë jam këtu për të punuar, – iu përgjigj trajneri Solari, pyetjes për dorëheqje, – duhet të jemi profesionistë dhe të kthehemi në punë që të nesërmen. Nuk kam ardhur këtu që të lë në baltë klubin në një moment kaq të vështirë”.
Mediat raportojnë se presidenti Perez i ka dhënë besimin trajnerit deri në fund të sezonit, kur besohet se do të synohet të merret Poçetino nga Totenhemin.
“Ishte një ndeshje e madhe nga ana jonë, ishte shumë pranë përsosmërisë, – ishin fjalët e trajnerit holandez, Ten Hag, – besoj se e merituam kualifikimin, dhe mendoj se kemi arsye të synojmë gjysmëfinalet”.
Ajaksi është pesë herë kampion i Europës, por do të ishte një mrekulli nëse do t’ia dilte të fitonte Championsin me një skuadër kaq të re. /abcnews.al