Duke komentuar zhvillimet e fundit në Shqipëri, administrata amerikane i ka bërë thirrje opozitës që të japë kontributin e vetë në Parlament për proceset integruese, ndërsa ka kërkuar që protestat të jenë paqësore. Gjithashtu, Uashingtoni i ka bërë thirrje qeverisë që të luftojë krimin dhe korrupsionin.
Nga Shkupi, ish-ambasadori amerikan Filip Reeker ka folur për situatën në Shqipëri ku opozita hoqi dorë nga mandatet. Ambasadori Reeker tha se të gjitha partitë duhet të tregojnë se ndajnë synimet e njëjta për të ardhmen e vendit.
“Opozita doli në rrugë dhe i dogji mandatet; duhet bërë shumë punë urgjente brenda proceseve demokratike. U kërkojmë të gjithë drejtuesve politikë që të shfaqin vullnet politik për t’u angazhuar në institucionet demokratike të Shqipërisë për t’i çuar reformat përpara. Dhe nëse palët ushtrojnë të drejtën demokratike për të protestuar, kjo duhet bërë në mënyrë paqësore”.
Sa i takon zhvillimeve të tjera në Shqipëri, diplomati amerikan ka vlerësuar përpjekjet e deritanishme në procesin e reformave, por ka nënvizuar se duhet çrrënjosur korrupsioni dhe të ristrukturohen sa më parë institucionet kyçe të sundimit të ligjit e sidomos gjyqësori.
“Shqipëria duhet të luftojë krimin e organizuar dhe të tregojë se askush nuk qëndron mbi ligjin, në mënyrë që të hapen bisedimet zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Filip Riker ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Maqedoni e së shpejti merr detyrën e ndihmës sekretarit amerikan i Shtetit për Europën./abcnews.al