Në një kohë që vijon marrja në pyetje e dëshmitarëve në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve, ka ardhur një reagim i kryetares së LSI Monika Kryemadhi. Kjo e fundit shkruan se zhvillimet e komisionit duken sipas saj si një vazhdim i kësaj lidhjeje të veçantë e të fshehtë.
“Besoj e mbani mend 17 Majin kur Basha braktisi demokratët në çadër për të bashkëqeverisur me Ramën. Zhvillimet në komisionin hetimor parlamentar po duken fiks si një vazhdim i kësaj lidhjeje të veçantë e të fshehtë. Zbardhja e së vërtetës për inceneratorët nuk duhet të dështojë, siç dështoi mbrojtja e Teatrit Kombëtar Loja politike mes qeverisë dhe kunat-opozitës nuk duhet lejuar të deformojë drejtësinë e re”, shkruan Kryemadhi në rrjete sociale.
Një thirrje kryetarja e LSI ka pasur për SPAK.
“Inkurajoj SPAK të veprojë mbi faktet pa humbur kohë! Këtu ndahet historia, duke treguar nëse jemi duke ndërtuar një shtet të së drejtës evropiane, apo drejt instalimit final të kapjes së shtetit, drejtësisë, opozitës”, shkruan më tej ajo.
Lidhur me kët0 akuza të Kryemadhit ka reaguar Partia Demokratike. Sipas PD Komisioni hetimor po zbardh vjedhjen 430 milionë euroshe, e për “Ramën, Berishën dhe LSI thotë se e sulmojnë sepse nuk duan që Shqipëria të ndryshojë”.
“Ja kush po sulmon Komisionin Hetimor për inceneratorët, që po punon për të zbardhur të vërtetën mbi vjedhjen e 430 milionë euro. Nga një anë Rama dhe PS. Nga ana tjetër LSI dhe Berisha. Të tre i lidh i njëjti hall: Këta nuk duan që Shqipëria të ndryshojë”, shkruan PD.
/abcnews.al