Dialogu Kosovë-Serbi, analisti: Nëse Asociacioni nuk është pjesë e marrëveshje finale, s’do të ketë marrëveshje fare

schedule18:52 - 21 Shkurt, 2022

schedule 18:52 - 21 Shkurt, 2022

Njëri nga themeluesit e KIPRED dhe analisti politik, Lulzim Peci, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova, duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, por, kjo duhet të ndodhë në kuadër të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

Peci i cili ka mbajtur edhe pozita diplomatike pas pavarësisë, duke folur në emisionin “Most” të REL ka thënë se Kosova e ka ratifikuar marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 me të cilën parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Unë mendoj se kjo duhet të bëhet në kuadër të marrëveshjes finale Kosovë -Serbi”, ka thënë ai.

“Në Prishtinë rreth kësaj ka mendime të ndryshme. Por duhet të jemi të qartë – kjo nuk është Asociacion i komunave serbe por Asociacion i komunave me shumicë serbe. Qeveria aktuale deri tash nuk ka dashur ta implementojë këtë marrëveshje, e ata që tash janë në opozitë e kanë mbështetur derisa kanë qenë në pushtet. Opozita konsideron se themelimi I Asociacionit duhet të jetë pjesë e pakos së marrëveshjes finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka shtuar Peci.

Sipas tij, Qeveria herët ose vonë do ta implementojë marrëveshjen për Asoaciacionin.

“Nëse Asociacioni nuk do të jetë pjesë e paketës së marrëveshjes finale të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nuk do të ketë marrëveshje fare” ka thënë Peci./Express