Kryetari i grupit parlamentar socialist, Talulant Balla, i cilëson protestat e opozitës shfaqje të turpshme e të padobishme, pasi siç tha ai, “PS sërish do t’i fitojë zgjedhjet në vitin 2021”. Ndërsa sipas drejtuesit politik të Qarkut Berat, Blendi Klosi, arsyeja përse opozita i ka hyrë kësaj rruge është se nuk e mund dot Partinë Socialiste.
Për Taulant Ballën, nuk ka asnjë dyshim se mazhoranca aktuale do të jetë fituese e zgjedhjeve të vitit 2021.
“Dhe pas 2021-isht ne do jemi në qeveri kurse Luli në Holandë. Sot ne jemi vetëm përballë të gjithë atyre. Fati na e ka sjellë që të gjithë këta t’i kemi përballë”, tha Balla.
Opozitën nuk e sheh si kundërshtare të Partisë Socialiste, pasi kjo parti, thotë Balla, kundërshtarin më të madh ka vetveten.
“Opozitë nuk kemi ata, opozita jonë janë hallet e njerëzve”, u shpreh ai.
Gjatë një takimi me Asambletë e zgjeruara në qytetet Berat, Kuçovë, Poliçan dhe Urë Vajgurore, Balla i drejtoi këtë mesazh krerëve të opozitës:
“Mos guxoni të bllokoni rrugën europiane të Shqipërisë. Përballja me drejtësinë nuk ju shpëton pavarësisht se çfarë skenarësh mund të keni”.
Drejtuesi politik i Qarkut Berat, Blendi Klosi, tha se opozita ka zgjedhur këtë rrugë, sepse e kuptoi që Partinë Socialiste nuk e mund dot, sepse ajo është ne aleancë të gjerë me qytetarët.
“Para një jave s’ndodhi asgjë më shumë dhe asgjë më pak vetëm se kapitullimi i Sali Berishës. Ata nënshkruan kapitullimin. E thanë një vit me radhë që kur humbën në 2017-n në të gjithë Shqipërinë se: ne nuk i mundim dot socialistët, ne nuk e mundim dot Edi Ramën, ne nuk e mundim dot Partinë Socialiste”, tha Klosi.
I pranishëm në takime ishte edhe kandidati socialist për Bashkinë e Beratit, Ervin Demo, i cili theksoi se mesazhet negative që partitë opozitare po japin, dëmtojnë rëndë imazhin e vendit, e veçanërisht turizmin./abcnews.al