Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka takuar këtë mëngjes delegacionin e Parlamentit Europian, që ka nisur prej ditës së djeshme takimet me aktorët politikë mbi situatën në vend.
Në njoftimin e Kuvendit, thuhet se Ruçi u ka thënë europdeputetëve se objektivat për integrimin janë drejt përmbushjes, e se organet e reja të sistemit të drejtësisë do jenë në funksion të plotë në qershor. Lidhur me krizën politike në vend, Ruçi ka deklaruar se Edi Rama ka mbështetjen e 99% të shqiptarëve, ndërsa parlamenti është legjitim, pasi vjen nga zgjedhje të ndershme të certifikuara në 2017, 100% nga numëruesit e opozitës. Kreu i Kuvendit ka thënë se opozita gëzon të drejta në Kuvend që ai si opozitar dikur nuk i ëndërronte, por opozita ka refuzuar të përdorte kontrollin parlamentar.
Sipas njoftimit të Kuvendit eurodeputeti Kelam ka kërkuar arritjen e një konsensusi politik e bashkëpunim për të dërguar një sinjal pozitiv në Europë për hapjen e negociatave.
Po sipas njoftimit të Kuvendit, raportuesi për Shqipërinë Fleckenstein ka deklaruar se ai po e humbet durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës, e se pamjet e protestave vonojnë integrimin e vendit. Fleckenstein ka thënë se “Zonja e Parë” e vendit nuk duhet të pengojë negociatat. Takimet e delegacionit do finalizohen me një konferencë për shtyp, ndërsa më 5 Mars do informojnë Parlamentin Europian mbi këtë vizitë./abcnews.al