Inspektohet Kompleksi Partizani, Duka dhe Demi njëzëri: U shërben brezave të rinj

schedule12:18 - 12 Shkurt, 2022

schedule 12:18 - 12 Shkurt, 2022

Kompleksi i skuadrës së Partizanit është afër përfundimit dhe së shpejti pritet të jetë gati për të luajtur lojtarët ndeshjet e tyre.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi kanë inspektuar punimet e bëra në këtë kompleks, që pritet të jetë një vepër e shtuar e futbollist shqiptarë.

Kompleksi i ri i klubit, që po ndërtohet në zonën e Tufinës, do të ketë të gjitha kushtet e duhura për një klub futbolli duke filluar që nga stadiumi, fushat stërvitore, hoteli akomodues, palestrat, ambientet ndihmëse, parking, muzeu i klubit dhe shumë funksione të tjera, që do të vihen në shërbim të Demave.

Federata Shqiptare e Futbollit ka kontribuar në këtë kompleks te pjesa e fushës së stadiumit, sistemin e ndriçimit dhe sediljet. Duka u shfaq i surprizuar nga projekti madhor dhe vlerësoi investimin e familjes Demi, si një vepër që do t’i shërbejë fëmijëve.

“Në fakt jo vetëm unë, por çdo njeri që do të vinte këtu, do të ndjehej i surprizuar nga i gjithë kompleksi që po ndërtohet këtu për klubin Partizani. Mund të kem lexuar nëpër media që Partizani po ndërton një kompleks, por nuk mund ta besoja që është një projekt kaq i madh me një stadium të kompletuar që plotëson të gjitha parametrat, me një hotel për ekipin. Projekti përfundimtar parashikon edhe fusha stërvitore për të gjitha ekipet e moshave, gjë që do t’i shërbejë shumë kryesisht fëmijëve të Tiranës. Në fund të fundit investimi është për ta, pavarësisht se vetë klubi pretendon edhe në nivelin profesionist që të ketë rezultate nëpërmjet atyre fëmijëve”, – tha Presidenti Duka, duke premtuar mbështetjen e FSHF-së edhe në vazhdim për të përmirësuar infrastrukturën kudo nëpër Shqipëri.

“Dua ta falënderoj shumë Presidentin Demi për këtë investim, për të gjithë kontributet në futbollin shqiptar. Ky është një investim shumë i madh, ku edhe ne jemi kujdesur me një kontribut modest krahasimisht me atë çfarë është bërë këtu, por gjithsesi është një projekt që ne do të vazhdojmë ta mbështesim si FSHF sepse në fund të fundit jemi të gjithë bashkë për të njëjtin qëllim. Do ta mbështesim me fushat e tjera të stërvitjes, siç kemi mbështetur edhe klube të tjera si Tirana, Teutën, Vllazninë, etj., duhet padyshim, që ndonëse është një kompleks privat, të kemi fokus mbase më shumë sepse është një kompleks shumë i mirë. Është koha që ne të merremi me investimet, të merremi me zhvillimin e futbollit dhe sa më pak retorika apo batuta nëpër televizione”, – theksoi Presidenti i FSHF-së.

Edhe Gaz Demi ndante të njëjtin mendim si Duka se ky kompleks do t’i shërbejë shumë brezave të rinj, ndërsa theksoi se më në fund Partizani do të ketë një kompleks dinjitoz.

“Siç e tha dhe Presidenti Duka, ky është një investim që do t’i mbetet brezave që vijnë. Mendohet sikur po bëhet vetëm për ekipin e parë, por në fakt është vërtetë një investim për brezat e rinj dhe për edukimin e fëmijëve. Jemi lodhur shumë gjithë këto vite, të gjithë e dinë si e kemi marrë Partizanin. Me shumë vështirësi, me vonesa ndoshta shumë, por ka ardhur koha që të jemi drejt përfundimit. Bashkëpunimi me FSHF-në ka nisur, ndoshta është modest dhe ndërkohë ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë seriozisht. Mendoj se ky kompleks është diçka shumë e mirë edhe për qytetin e Tiranës”, – deklaroi Presidenti Demi. /f.a/abcnews.al