ABC ka zbardhur detaje të reja lidhur me mega operacionin e zhvilluar në disa burgje, ku shumë zyrtarë akuzohen për korrupsion, lëndë narkotike, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të jashtë ligjshme brenda qelive. Rrjeti mësohet se ishte i organizuar mes disa punonjësve të burgjeve në Elbasan, Peqin dhe Korçë, ku me anë të bashkëpunimit mes tyre, akuzohet se arritën të fusnin brenda qelive lëndë narkotike pro edhe sende të tjera si celularët.
Burime për ABC bëjnë të ditur se janë 11 punonjës të burgjeve të arrestuar, në IEVP Elbasan, IEV Peqin, IEVP Drenovë. Po ashtu urdhër ndalimi si pjesë e grupit është dhënë edhe për 9 të burgosur ku disa prej tyre njihen sit të burgosurit “VIP” për shkak të krimeve të bëra. Ndër emrat e spikatur si të përfshirë në këtë mega operacion janë Arben Grori, Klajdi Gjeçi, Aleksandër Sinanaj dhe Aleksandër Llanaj.
Në pranga kanë rënë edhe disa biznesmenë, konkretisht burrë e grua të cilët operojnë më dyqan pranë burgut të Peqinit. Një pjesë prej të arrestuarve janë edhe biznesmenë nga Vlorë të cilët akuzohen për lojëra fati.
Sot u lëshuan 27 urdhër ndalime, ku shumica prej tyre janë ekzekutuar nga FNSH e Operacionalja. Lidhur me këtë operacion gjatë ditës së nesërme pritet të ketë edhe një konferencë për mediat për të bërë publike detajet e reja.
Kush janë të dënuarit e përfshirë?
– Aleksandër Sinanaj dyshohet si një nga grabitësit e maskuar të Bankës Kombëtare Tregtare që ndodhet në lagjen “Hajro Çakërri” në qytetin e Vlorës, një ngjarje që ndodhi në 15.08.2011.
– Aleksandër Llanaj është shpallur fajtor për vrasjen e tre të rinjve në prill të viti 2015 në Vlorë e dhe është dënuar me burgim të përjetshëm e më pas me 35 vite burgim nga të tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.
– Arben Grori, është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999 nga Gjykata e Pestë Penale e Milanos në Itali, vendim që u njoh dhe u la në fuqi më pas dhe nga Gjykata e apelit, po në Milano. Grori u gjet fajtor për vrasjen e Zyberit, në një spital në Milano, ku ndodhej i shtruar.
– Klajdi Gjeci, njihet si mik i Emiliano Shullazit u kap në Tiranë për shitje narkotikësh në Maj 2020
/abcnews.al/