DURRËS – Dy policë kanë rënë në pranga për shkak se akuzohen se i kanë marrë 10 mijë euro një personi të shpallur në kërkim. Dy të arrestuari janë Viktor Buca dhe Gëzim Lluka.
Pasi janë vënë në dijeni të vendit ku ndodhej personi në kërkim, e kanë lokalizuar atë dhe e kanë kapur duke e marrë në automjetin me të cilin lëviznin.
Pasi kanë negociuar me personin në kërkim Alfred Mikeli., punonjësit e policisë Viktor Buca dhe Gezim Lluka e kanë lënë të lirë, në shkëmbim të marrjes prej tij të një shumë prej 10.000 (dhjetë mijë) Euro.
Njoftimi nga SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pasi ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr.224 të vitit 2021, në bashkëpunim me Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, pas përdorimit të metodave speciale të hetimit, ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm, se:
Shtetasi Alfred Mikeli është person në kërkim për efekt të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor të formës së prerë të ish – Gjykatës për Krime të Rënda, sipas të cilit ky shtetas ishte dënuar me 10 (dhjetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në datën 10 Gusht 2021, punonjësit e policisë të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, Viktor Buca. dhe Gezim Lluka., pasi janë vënë në dijeni të vendit ku ndodhej personi në kërkim, e kanë lokalizuar atë dhe e kanë kapur duke e marrë në automjetin me të cilin lëviznin. Pasi kanë negociuar me personin në kërkim Alfred Mikeli., punonjësit e policisë Viktor Buca.dhe Gezim Lluka. e kanë lënë të lirë, në shkëmbim të marrjes prej tij të një shumë prej 10.000 (dhjetë mijë) Euro.
Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykta e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 06 datë 30 Janar 2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj punonjësve të policisë Viktor Buca dhe Gezim Lluka., si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal. Masat e sigurimit personal për dy punonjësit e policisë së shtetit u ekzekutuan sot me datë 31.01.2022 nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
Po kështu nga gjykata është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Alfred Mikeli, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal.
./abcnews.al/