Berisha: Kritikët të vijnë të shohin realitetin

schedule11:45 - 22 Shkurt, 2019

schedule 11:45 - 22 Shkurt, 2019

Një ditë pas dorëzimit në Kuvend të mandateve nga deputetët e opozitës, ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë socialistëve të largojnë Edi Ramën nga drejtimi i partisë. Berisha ftoi ndërkombëtarët që kundërshtojnë djegien e mandateve, të vijnë në Shqipëri për të parë realitetin. Ish-kryeministri paralajmëroi se nuk do të ketë më zgjedhje me Ramën kryeministër.

24 orë pasi dorëheqja nga mandati që mbante firmën e tij dhe atë të grupit parlamentar demokrat u depozitua nga kreu i kësaj force politike Lulzim Basha në Kryesinë e Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha, thirrjen ia drejtoi atyre me të cilët nuk ndan bindjet politike por thotë se ndan shqetësimin më madhor…

“Situata në rrafshin social dhe politik është eksplozive. E kam thënë se po shkohet drejt konfrontimit civil. Unë i bëj thirrje socialistëve mos e nënvlerësoni situatën. Ndaj t’i thërrasin mendjes ata që kanë një nanogram atdhetari, përkushtëim, ndershmëri të mos lejojnë përshkallëzimin”.

Realizimi nga kushdo, se çdo moment i kryemnistrit Rama në pushtet është rrezik madhor kombëtar, është i domosdoshëm, për ish-kryeministrin, si nga faktorët e brendshëm, ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtar, të pozicionuar kundër vendimit të demokratëve për djegien e mandateve.

“Dua të siguroj të gjithë miqtë tanë kudo që janë se ky është veprim që ka qëllim të vetëm: mos pranimin e të qënit fasadë e të keqes. Sikundër kam një ftesë, u bëj thirrje të vijnë të shohin realitetin ktu në shqipëri dhe tiranë dhe i siguroj se do gjejnë realitet krejtësisht më të ndryshëm nga ai që kanë në dosjet e tyre në tavolinë”.

Për ish-kryeministrin Berisha, shoqëria ka arritur pikën e vlimit dhe protestat e Shkurtit janë pasqyrë e kësaj.

“Është pika në atë cilën shumohen të gjitha pakënaqësitë dhe shpërthejnë në revolucion. Po 16 shkurti, 21 shkurti, dëshmoi se është një cunam. Mosbindja civile nuk ka nevojë t’i mobilizojë se në mënyrë absolute vlon në shpirtin e çdo shqiptari”.

Lideri hsitorik i demokratëve deklaroi me bindje se opzoita po bën përgatitje të ethshme për zgjedhjet.

“Por zgjedhje me Edi Ramën në Shqipëri nuk do ketë më. Për këtë ju garantoj”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!