Gati për luftë? Rusët mbledhin shishe gjaku për të plagosurit, alarm në Ukrainë

schedule21:46 - 28 Janar, 2022

schedule 21:46 - 28 Janar, 2022

“Reuters” duke cituar zyrtarë amerikanë, raporton se rusët po mbledhin shishe gjaku në kufirin me Ukrainën. Sipas raportit, pala ruse po monton edhe pajisje mjekësore për kujdesin e të plagosurve, sipas informacioneve ekskluzive të agjencisë “Reuters”, e cila citon tre zyrtarë amerikanë.

Ushtruesit e detyrës dhe ish-zyrtarët amerikanë thonë se indikacionet specifike – të tilla si furnizimet me gjak – janë vendimtare në përcaktimin nëse Moska do të ishte gati të nisë një pushtim nëse presidenti rus Vladimir Putin vendos ta bëjë këtë.

Zbulimi i bërë nga zyrtarët amerikanë – pa u përmendur emrat – për shishet e gjakut intensifikon shqetësimin se Rusia mund të përgatitet për një pushtim të ri të Ukrainës, pasi ka mbledhur më shumë se 100,000 trupa në kufijtë e dy vendeve.

Presidenti Joe Biden parashikoi se një sulm rus është i mundshëm në shkurt, ndërsa ministri i Jashtëm Anthony Blinken vlerësoi se Rusia mund të nisë një sulm të ri kundër Ukrainës “në një kohë shumë të shkurtër”.

Pentagoni ka vënë në dukje se akumulimi i pajisjeve mjekësore është pjesë e vendosjes së forcave ushtarake ruse në kufi. Megjithatë, zbulimi për shishet e gjakut shton edhe më shumë detaje, të cilat, sipas analistëve, janë krejtësisht tregues i nivelit të gatishmërisë ushtarake të Rusisë.

“Nuk është plotësisht e sigurt se do të ketë një sulm, por askush nuk do të kishte sulmuar pa to (përfshirë rezervat e gjakut)” tha Ben Hodges, një gjeneral-lejtnant amerikan i cili tani është analist në Qendrën për Analizë të Evropës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk pranoi të komentojë raportin e Reuters. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë kujtoi paralajmërimet e përsëritura të Uashingtonit për gatishmërinë ushtarake të forcave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Nga ana e tij, Pentagoni nuk pranoi të komentojë mbi informacionin.

/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!