Monologu i kësaj të marte i Mustafa nanos në Provokacija është fokusuar te djegia e mandateve të opozitës. Në këndvështrimin e Mustafa Nanos ky është një bast i rëndë dhe i rrezikshëm dhe që nuk do ketë mbështetje ndërkombëtare.
“Çfarë do arrihet me këtë akt? Unë nuk besoj se Basha e ka të qartë këtë gjë. As ata që e kanë hedhur si tezë nuk e kanë të qartë. Askush nuk e ka të qartë. Kuptohet, synimi është që, nëpërmjet kësaj lëvizjeje, t’ia bëjnë jetën të vështirë Edi Ramës, të tërheqin vëmendjen e të gjithëve, t’i bëjnë të vetëdijshëm ndërkombëtarët, se gjërat në Shqipëri kanë shkuar në zgrip, kanë dashur t’u përcjellin këtyre të fundit mesazhin se “hej miq, hapni sytë, në Shqipërinë e Edi Ramës çdo gjë ka marrë fund”, mirëpo ky është një bast i rëndë dhe i rrezikshëm. Mund të arrihet e kundërta e kësaj që synohet. Mund të arrihet dobësimi i opozitës në mënyrë fatale. Dhe sa për ndërkombëtarët, unë jam i sigurtë që këta nuk kanë për ta mirëkuptuar këtë gjest”.
Monologu i plotë i Mustafa Nanos në Provokacija
Nuk dihet se kush e hodhi i pari idenë e djegjes së mandateve të përfaqësimit të popullit në parlament, por e vërteta është që kjo ide ngjiti te një numër njerëzish të opozitës. Dhe Basha, pasi hezitoi gjatë, ndoshta i kompleksuar prej akuzave të padrejta që i kanë bërë, doli dhe shpalli vendimin e madh. “Do djegim mandatet”, tha pas protestës. Pikërisht në këtë rrethanë kur u mendua se ajo protestë, për shkak të pjesëmarrjes masive, mund të shërbente si një oksigjen e inxheksion i mirë për shpresat opozitare, si një inkurajim për të vijuar me betejën parlamentare e për t’u përgatitur për zgjedhjet e qershorit, pikërisht në këtë rrethanë pra Lulzim Basha mori vendimin e kundërt, duke i kapur në befasi të gjithë, edhe demokratët. Mori vendimin për të djegur mandatet. Grupi parlamentar ra dakord pa një, pa dy. Thellë-thellë të shumtët e anëtarëve të grupit nuk do kenë qenë dakord me këtë aksion, e pse do ishin dakord, një karrike në parlament ka qenë një arritje e madhe për ta, dhe tani u duhet të heqin dorë prej saj, dhe tani u duhet të jetojnë me frikë se nuk kanë për t’u rizgjedhur kur të vijë hera tjetër. Sepse kushedi se si do jenë gjërat herën tjetër. Mirëpo, askush nuk guxoi t’i kundërvihej Bashës, megjithatë. Madje, edhe aleatët iu bashkangjitën këtij vendimi. Madje, edhe LSI-ja, për të cilën unë do vija bast çdo gjë se nuk do t’i digjte kurrë mandatet.
Çfarë do arrihet me këtë akt? Unë nuk besoj se Basha e ka të qartë këtë gjë. As ata që e kanë hedhur si tezë nuk e kanë të qartë. Askush nuk e ka të qartë. Kuptohet, synimi është që, nëpërmjet kësaj lëvizjeje, t’ia bëjnë jetën të vështirë Edi Ramës, të tërheqin vëmendjen e të gjithëve, t’i bëjnë të vetëdijshëm ndërkombëtarët, se gjërat në Shqipëri kanë shkuar në zgrip, kanë dashur t’u përcjellin këtyre të fundit mesazhin se “hej miq, hapni sytë, në Shqipërinë e Edi Ramës çdo gjë ka marrë fund”, mirëpo ky është një bast i rëndë dhe i rrezikshëm. Mund të arrihet e kundërta e kësaj që synohet. Mund të arrihet dobësimi i opozitës në mënyrë fatale. Dhe sa për ndërkombëtarët, unë jam i sigurtë që këta nuk kanë për ta mirëkuptuar këtë gjest. Shenjat janë dhënë. Dhe nuk është hera e parë që kjo ndodh në marrëdhëniet mes tyre dhe opozitës shqiptare të Lulzim Bashës, gjë që ka shkaktuar nervozizëm në radhët e opozitarëve, të cilët nuk po dinë si të shfryhen kundër tyre. Po bëjnë thirrje për t’i injoruar, për t’mos ua vënë veshin, po i quajnë syleshë, të korruptuar, të blerë, apo ku di unë. Mirëpo, është e kotë kjo betejë me ta. Është edhe e gabuar. Nuk na e kanë fajin ata. Asnjë faj nuk na kanë. Sa për reagimin e tyre anti opozitar, ai është shumë i shpjegueshëm. Qeverisja e Edi Ramës, me standardin e tyre, mund të jetë një gjë krejt e pagëlltitshme, por në vlerësimin e punëve në Shqipëri ata përdorin një standard shqiptar. Dhe kështu fillojnë e thonë: Rama një problem? E cili kryeministër nuk ka qenë një problem në Shqipëri?” Sepse, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, nuk ka asnjë gjë, për të cilën demokratët të ankohen, që të mos e kenë bërë vetë më herët. E që të mos e kënë bërë më keq, duke përjashtuar korrupsionin, ku socialistëve nuk ua hedh njeri. Ndërkombëtarët, kur shohin Berishën që del rrugëve për të luftuar për votën e lirë, ata me siguri gajasen. Dhe gajasen me të drejtë. Se për t’u gajasur është. Shkurt, ata nuk e mbështesin opozitën në aksionin e vet radikal për një arsye shumë të thjeshtë: për ta klasa politike shqiptare në tërësi është, ndjesë për shprehjen, është një mut i madh, dhe opozita nuk është gjë tjetër veçse gjysma tjetër e mutit, madje për shumë prej tyre opozita është gjysma më e keqe. Demokratët duhet ta dinë këtë gjë. Nuk u falet të mos e dinë. Dhe ata duhet t’i bëjnë llogaritë me këtë fakt. Mbështetjen ndërkombëtare nuk kanë për ta patur. /abcnews.al