Shënjestra e atentatit të së dieles tek Uji i Ftohtë në Vlorë, i njohur me nofkën “Çipuri” shpëtoi nga vdekja, pasi u shtri poshtë sediljes së makinës. Sipas burimeve të ABC News, në vendin e atentatit nuk kishte asnjë kamera sigurie.
Në vendin ku iu bë atentat “Çipurit”, por që fatkeqësisht humbën jetën kunati dhe shoku i tij, nuk ka patur kamera sigurie. Autoret si duket e kanë njohur mirë territorin dhe i zunë pritë makinës së Aramando Sulejmanit, pikërisht në një kthesë të pasurvejuar, tek Uji i Ftohtë në Vlorë. Burime të policisë i thanë ABC News që janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, por jo nga vendi i ngjarjes. Ato i përkasin bizneseve në rrugë. Kështu hetuesit besojnë se do mund të gjejnë lëvizjet e mjetit që përdoren autorët e krimit.
Tre burrat u qëlluan me dy armë kallshnikovi dhe në vendin e ngjarjes u gjetën 35 gëzhoja. Arjan Hasani dhe Orest Rexho u vranë, kurse miku i tyre, Armando Sulejmani, i njohur me emrin “Çipuri” u plagos rëndë. Ai mori dy plumba, një në këmbë dhe një në dorë. Por “Çipuri” i shpëtoi ekzekutimit pasi ndodhej pas sediljes së makinës, në krah të kundërtët me vendin nga ku e kishin marrë shënjestër.
Të njëjta burime saktësojnë se në këtë atentat u përdorën vetëm dy kallshnikovë, kurse arma e tretë që u gjet pranë në makinën e djegur, ka qenë për siguri. Policia ka shoqëruar të tjerë persona që mund të kenë dijeni për këtë ngjarje me karakter hakmarrjeje prej vitesh. Por akoma nuk ka rënë në gjurmët e autorëve. Të hënën, policia mori në arrest “Çipurin”, të cilit iu gjet një pistoletë. Ai u izolua në dhomë për këtë qëllim brenda ambienteve spitalore./abcnews.al