Manastirliu në Spitalin e ri të Kurbinit: Përfundon së shpejti, do të jetë model

schedule10:48 - 22 Janar, 2022

schedule 10:48 - 22 Janar, 2022

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar punimet për ndërtimin e Spitalit të ri të Kurbinit, pas dëmtimeve të tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Manastirliu tha se pavarësisht vështirësive, ky spital i ri do të përfundojë së shpejti, ndërkohë që shërbimi ndaj qytetarëve të Laçit dhe zonave përrreth nuk është ndërprerë në asnjë moment.

Pas dëmtimeve nga tërmeti kjo godinë nuk mund të riparohej përveçse të shembej dhe të ndërtohej nga fillimi.  Ne ja dolëm që të bënim një projekt të shpejtë dhe të ravijëzonim të gjithë ato shërbime që i duhen qytetit dhe bashkisë së Kurbinit, në funksion të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe aksesit të shpejtë në shërbimet bazë. Kjo është një strukturë spitalore që do të përfshijë poliklinikën, pra do të ketë gjithë ambientet pritëse për konsultat, do të ketë ambientet e urgjencës, të cilat do të jenë të pajisura me të gjitha materialet dhe paisjet e nevojshme. Do të ketë 3 pavione të cilat sipas fluksit të pacientëve, do të organizohen nga vetë spitali për shërbimet e specializuara”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë e cilësoi Spitalin e ri të Kurbinit si model që do të shërbejë për të ndërtuar dhe organizuar të gjitha spitalet e tjera bashkiake në vend.

Krijojmë kështu një model për ta aplikuar edhe në bashkitë e tjera, në funksion të përmirësimit të shërbimeve, të strategjisë që ne kemi për organizimet e sistemit spitalor në vendin tonë dhe rajonalizimit të shërbimeve spitalore, duke qenë se tashmë investimet që ne kemi bërë në sistemin tonë shëndetësor, investimet në maternitete të reja, investimet në spitalie të reja, investimet që po fillojmë për spitalet bashkiake, duke nisur nga Spitali i Kurbinit e më tej duke vijuar me spitalin e Krujës e spitale të tjera bashkiake, do të mund të na japin një eficence të menaxhimit të burimeve tona, qofshin ato njerëzore e financiare, në mënyrë që qytetarët t’i marrin shërbimet afër vendbanimit, por edhe mjekët e infermierët të kenë kushte shumë dinjitoze pune”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu ka kërkuar të punohet me intensitet në mënyrë që me plotësimin e banorëve në banesat e reja, të jetë gati edhe në funksion edhe spitali.

“Sot duhet ta shohin dhe ta kuptojnë edhe banorët e Kurbinit sepse spitali është drejt përfundimit, patjetër që kemi patur edhe ne ato problematikat administrative, siç kemi pasur edhe me kantieret e tjera, por tashmë po finalizohet dhe do të kemi edhe ne spitalin bashkiak dhe besoj që është një ndër spitalet më të mira në të gjithë spitalet bashkiake“, tha Majlinda Cara.

Godina 50 vjeçare ku ushtronte aktivitetin Spitali i Kurbinit u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Rindërtimi i Spitalit Kurbin ka një vlerë totale investimi 2.8 milionë Euro dhe një sipërfaqje ndërtimi prej 2516 m2 dhe pritet të përfundojë brenda muajit mars të këtij viti. Më shumë se 46 mijë qytetarë të bashkisë Kurbin do të përfitojnë shërbim shëndetësor sipas standardeve më të mira, pas përfundimit të këtij spitali të ri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!