Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk ka përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tij, qeveria Kurti mund të mos e përfundojë mandatin 4-vjeçar.
“Secili pushtet i nënshtrohet një principi të njëjtë. Principi universal është që ke m’u sprovu dhe aty do të përfundon. Mundohesh maksimalisht me qenë në përputhje me atë që ke shpjegu më herët, e kur të vijnë mundësitë mundohu me punua në mënyrë më të drejtë dhe pa hile e pa korrupsion, në fund bëhen katër vite. Munden mos me shkue katër vite. Populli të gjykon dhe ta jep vendin”, tha ai.
I pyetur nëse kjo nënkupton se do të ketë zgjedhje të reja Konjufca është përgjigjur se qeveria ndonjëherë edhe vetë shkakton zgjedhje. “Qeveria ndonjëherë edhe vetë shkakton zgjedhje. Kjo ndodh në vendet demokratike. Kosova është lodhë nga zgjedhjet. Por në vendet demokratike për pak gjëra shkohet në zgjedhje”, deklaroi Konjufca.