Mustafa Nano për Ramën: Në keni Perëndi, mos e bëni më këtë gjë!

schedule20:17 - 15 Shkurt, 2019

schedule 20:17 - 15 Shkurt, 2019

Kemi parë më se njëherë Kryeministrin Rama që na ka dhënë lajmin se familjes X, Y apo Z i është meremetuar shtëpia, i është bërë si e re, apo i është ndërtuar nga e para. Rama në raste të tilla është gjithnjë atje, në vendin e ngjarjes, i shoqëruar nga kamerat dhe gazetarët e televizionit më të çuditshëm mbi faqe të dheut, ERTV, të cilët, pasi e kopsitin mirë lajmin, ua përcjellin televizioneve të tjera, përfshirë edhe atyre kombëtare.

Ka diçka që nuk shkon në këtë mes. Madje, ka disa gjëra që nuk shkojnë. Dhe janë gjëra shumë serioze. Ne Ramën e kemi zgjedhur që të bëjë punën e Kryeministrit, dhe me këtë i kemi deleguar të drejtën e detyrën për të harxhuar në mënyrë të mençur e të arsyeshme buxhetin e shtetit, me fjalë të tjera të ardhurat që merren prej taksapaguesve. Dhe t’i harxhosh këto para në mënyrë të mençur e të arsyeshme, do të thotë t’i harxhosh për vepra që u shërbejnë të gjithëve.

Nuk është se kjo kompetencë që i është deleguar i jep atij, si Kryeministër, të drejtën që, me të parë një familje që të këput shpirtin, fap, si me magji, përdëllimin ta shndërrojë në bamirësi. Nëse shihet kështu, atëherë jemi në rastin e keqkuptimit më banal që mund t’i bëhet funksionit të kryeministrit, s’ka gjë se në thelb paratë kanë shkuar për një kauzë të mirë, të drejtë. Të bësh të lumtur një familje është një kauzë e mirë, apo jo? Mirëpo, përsëris, nuk është kjo puna e kryeministrit.

Ky i fundit çdo qindarkë duhet ta harxhojë për një vepër publike, prej së cilës potencialisht, në mos një ditë, një ditë tjetër, përfitojnë të gjithë, dhe vepra të tilla janë shkollat, çerdhet, rrugët, ambulancat, urat, fasilitete të policisë, ushtrisë, administratës, etj, etj. Dhe jo për të nxjerrë nga halli njërin apo tjetrin. Por edhe sikur ky arsyetim që sapo bëra të mos na i mbushte mendjen, edhe sikur të supozonim që Kryeministri bën mirë që u ndodhet pranë njerëzve të tillë në nevojë, prapëseprapë do na lindte ndonjë pyetje: Mbi ç’kriter i zgjedh ai familjet që duhen ndihmuar? Ka Kryeministria ndonjë listë hallexhinjsh, ka Kryeministri ndonjë ekip që i shoshit e i peshon me kujdes hallet e të gjithëve, dhe vetëm pas këtij procesi zgjedhin më të këputurin?

Jo, nuk ka asnjë mundësi ta bësh një shoshitje e një renditje të përpiktë e të drejtë të hallexhinjve të Shqipërisë. Sepse halli hallit nuk i ngjan. Sepse sidoqë të vendosë Kryeministri, edhe sikur të ketë disponimin më të virgjër për t’iu ndodhur pranë më të këputurit, ai në fund nuk do zgjedhë më të këputurin. Familja e zgjedhur do të jetë thjesht një familje fatlume. Bingo!

Vini re: Nuk thashë se ai i zgjedh me kritere politike, nuk thashë se ai po ndihmon vetëm socialistët, nuk e di këtë gjë, madje nuk kam dëgjuar që të jetë dhënë ndonjë provë apo të jetë bërë ndonjë akuzë për këtë, por ky fakt nuk e bën gjestin më të pranueshëm. Gjesti mbetet absurd, arbitrar, paternalist, fyes, shkapërdar, dhe abuziv. Dhe përcaktorin e fundit, ABUZIV, nuk është se e shtova për të zgjatur efektin stilistik të enumeracionit. Jo, është tamam abuziv. Sepse Kryeministri në këtë rast e trajton buxhetin e shtetit si ta kishte qesen e vet.

Dhe abuzimi shtohet kur sheh Kryeministrin që e shet këtë si një ngjarje me rëndësi kombëtare, madje – kjo është ç’është – si një bëmë të madhe të qeverisë e të kryeministrit, si një meritë të madhe të këtyre të fundit. Kryeministri nuk harron asnjëherë të shkojë të përurojë fundin e punimeve, dhe të marrë para kamerave mirënjohjen e hallexhinjve që nuk janë më hallexhinj, që në ndonjë rast shoqërohet me pamje  e vështrime të përlotura, që asnjëherë nuk janë teatrale. Janë lotë të vërtetë. E si të mos jenë?

Do doja t’i bëja një apel kryeministrit: Në keni Perëndi, mos e bëni më këtë gjë! Ngado që t’i vish rreth, është një gjë që nuk duhet bërë. Dhe ju e dini shumë mirë që nuk duhet bërë./abcnews.al