Përfaqësia e prindërve dhe Bashkia e Tiranës kanë rënë dakord që nisja e punimeve në shkollën “Gustav Mayer” të bëhet në datën 1 Maj dhe jo siç ishte parashikuar më 18 shkurt. Marrëveshja u arrit pas protestës së prindërve dhe peticionit që ata i dorëzuan Bashkisë së Tiranës.
Prindërit e nxënësve të shkollës “Gustav Mayer” pas takimit që kanë zhvilluar në Bashkinë e Tiranës kanë arritur marrëveshjen për ndryshimin e datës së nisjes së punimeve në shkollë. Kreu I Këshilllit të Prindërve konfirmoi për mikrofonin e ABC News se në bazë të marrëveshjes punimet do nisin më 1 maj 2019
Besart Logu, kreu i këshillit të prindërve: “Ne dorëzuam peticionin që e mbyllëm me mbi një shumicë të thjeshtë prindërish dhe bëmë kërkesë për takim me përfaqësues të institucionit. Ne velerësuam që jemi në një pikë dakordësimi”.
Punimet për rikonstruksionin e ambienteve të shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë ishin parashikuar të nisnin më 18 shkurt, çka shkaktoi edhe protestën e prindërve. Me arritjen e marrëveshjes me Bashkinë prindërit kanë kohën e mjaftueshme për të sistemuar fëmijët e tyre në shkollat “Naim Frashëri” dhe “Drita Pelinku” në kryeqytet. /abcnews.al