Gjet Ndoj: Më shkarkuan se refuzova t’i jap kishës eshtrat e Shën Vladimirit

schedule16:10 - 17 Janar, 2022

schedule 16:10 - 17 Janar, 2022

Nga Leontina Nika

Eshtrat e Shën Joan Vladimirit pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar i janë kthyer 2 javë para zgjedhjeve me 12 prill 2021 manastirit të Elbasanit për një periudhë 5 vjeçare. Në ceremoninë e dorëzimit të lipsaneve (eshtrave) të Shën Joan Vladimirit, kanë qenë të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, e cila pranon vështirësinë ligjore të zhvendosjes së lipsaneve nga muzeu për në kishen e Elbasanit.

Drejtori i Politikave Zhvillimore pranë Ministrisë së Kulturës zoti Gjet Ndoj, 7 muaj pas denoncon shkeljen ligjore të ministrisë për dorëzimin e këtyre lipsaneve. Ai deklaron se e ka refuzuar firmosjen e lëvizjen së objekteve unikale dhe për këtë arsye është larguar nga puna.

“Unë nuk kam firmosur dhe ky është konflikti.”

Largimin nga detyra e cilëson si hall personal, por shqetësim për të mbetet zhdukja e trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Kjo nuk ka interes publik se jam larguar unë, por arsye pse jam larguar e vlerësoj si diçka shqetësuese, po zhdukim trashëgiminë kulturore”.

Eshtrat e Shën Joan Vladimirit janë vendosur brenda në kishë, në një ambient ku ka qenë varri i Shën Joan Vladimirit dhe do të qëndrojnë  për 5 vite, sipas vendimit të Ministrisë së Kulturës, por nuk është sqaruar detaji i rikthimit të tyre sërish në muze. /abcnews.al