Koreja e Jugut ka dërguar mbi 176 mijë tonë karburant drejt Rusisë gjatë muajve korrik dhe gusht, përmes disa cisternave që kanë transportuar ngarkesat drejt porteve ruse në Lindjen e Largët.
Sipas një analize të “Guardian”, të bazuar në të dhënat e porteve dhe gjurmimit të anijeve, karburanti, kryesisht naftë dizel, është ngarkuar në disa porte të Koresë së Jugut dhe është transportuar me shtatë anije, të cilat kanë kryer gjithsej 14 udhëtime drejt Rusisë.
Tre nga këto anije ishin nën sanksione të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe. Njëra prej tyre nuk ka hyrë fare në port, por ka marrë rreth 26 mijë tonë karburant përmes një transferimi nga një anije në tjetrën, në ujërat pranë Koresë së Jugut. Kjo mënyrë transporti mund ta bëjë më të vështirë identifikimin e origjinës së ngarkesës.
“Është tronditëse që cisternat e sanksionuara nga BE-ja kanë ngarkuar karburant në portet e Koresë së Jugut dhe e kanë transportuar atë drejt Rusisë”, tha Isaac Levi, analist në Qendrën për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA). Sipas tij, kjo situatë “minon regjimin e sanksioneve dhe mbështetjen e Koresë së Jugut për Ukrainën”.
Koreja e Jugut është një nga vendet që ka mbështetur Ukrainën që prej nisjes së pushtimit rus. Seuli ka dërguar ndihma humanitare dhe pajisje jo-vdekjeprurëse, ndërsa në vitin 2023 premtoi 2.3 miliardë dollarë mbështetje për Ukrainën, kryesisht në formën e kredive.
Megjithatë, Koreja e Jugut ka shmangur dërgimin e armëve vdekjeprurëse në Ukrainë dhe njëkohësisht ka kërkuar të ruajë marrëdhëniet me Rusinë.
Sipas të dhënave të kompanisë së analizave detare Kpler, ndër blerësit e karburantit rus ishte edhe Rosneft, kompania shtetërore ruse e naftës, e cila është nën sanksione të SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë.
Një tjetër blerës ishte kompania ruse e naftës NNK. Pronari i saj, Eduard Khudainatov, si dhe një prej kompanive të grupit, NNK-Oil, janë gjithashtu nën sanksione britanike.
Rusia po përballet me probleme të mëdha në prodhimin e karburanteve për shkak të sulmeve me dronë ukrainas ndaj rafinerive të saj. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, përpunimi i naftës në Rusi ra në qershor në nivelin më të ulët në më shumë se 20 vjet, ndërsa prodhimi i naftës dizel është rreth 30% më i ulët se një vit më parë.
Shërbimet e inteligjencës ushtarake ukrainase kanë deklaruar se Rusia është detyruar të importojë karburant nga jashtë për të plotësuar nevojat e saj.
Në gusht, Rusia importoi me anije rreth 368 mijë tonë produkte nafte. Kjo ishte më shumë se shtatë herë sasia e importuar në muajin paraardhës dhe niveli më i lartë mujor që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Koreja e Jugut furnizoi rreth 112 mijë tonë, ose 31% të totalit të importeve ruse në atë muaj, duke u renditur pas Indisë.
Dërgesat nga portet koreano-jugore nisën të rriteshin ndjeshëm në korrik, në të njëjtën kohë kur presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, premtoi 100 milionë dollarë për rindërtimin e Ukrainës gjatë një samiti të NATO-s në Turqi.
Pavarësisht këtyre të dhënave, transporti i karburantit nuk duket se përbën shkelje të ligjit të Koresë së Jugut. Masat e Seulit kundër Rusisë fokusohen kryesisht te kontrollet e eksporteve të mallrave që mund të përdoren për qëllime ushtarake.
Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve lidhur me cisternat nën sanksione dhe dërgesat drejt Rusisë. Në një deklaratë, ajo tha se Koreja e Jugut mbështet përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të sjellë një rikuperim paqësor.
Ministria tha gjithashtu se ka zgjeruar kontrollet e eksporteve drejt Rusisë dhe se po monitoron zbatimin e tyre.
Edhe Britania e Madhe, e pyetur për përdorimin e porteve koreano-jugore nga anijet nën sanksione britanike, nuk dha detaje nëse kjo çështje ishte diskutuar me autoritetet e Seulit.
Një zëdhënës britanik tha se Londra mbetet e angazhuar për zbatimin e sanksioneve dhe për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë dhe për të kufizuar të ardhurat që financojnë luftën në Ukrainë.


