Kombëtarja e Shqipërisë mbyll sot në mbrëmje “xhiron” e parë të sfidave në Ligën e Kombeve. Duke nisur nga ora 20:45, skuadra kuqezi kthehet në “Air Albania” për ndeshjen kundër San Marino.
Për Rolando Maran dhe të besuarit e tij nuk lejohen gabimet, ndërsa fitorja është detyrim.
Pas humbjes me Finlandën, vetëm tri pikët mbajnë në lojë Shqipërinë për vendin e parë në grup, ndërsa suksesi është edhe një çështje prestigji, pasi rivalët mbajnë vendin e fundit në renditjen e përgjithshme të FIFA.
Në letër nuk duhet të ketë probleme, por ai që i beson më pak këtyre parashikimeve është trajneri Maran.
Kjo konfirmohet edhe nga formacioni që pritet të zbresë në fushë nga minuta e parë. Sigurisht, skuadra do të jetë më sulmuese, por pa ekpserimente dhe vetëm me pak lëvizje të detyrura, duke nisur nga porta. Mario Dajsinani do të mbrojë katërkëndëshin e kuqezi, pasi Berisha është i pezulluar dhe Sherri i dëmtuar.
Në mbrojtjen me tre, Kumbulla merr një fanelë titullari, duke zëvendësuar Ismajlin me probleme fizike, ndërsa në krah të tij luajnë kapiteni Gjimshiti dhe Mitaj.
Në mesin e fushës, por sigurisht me detyra sulmuese shtohet Uzuni. Ashtu si në Helsinki, pjesa tjetër e këtij reparti plotësohet me Pilon, Ramadanin dhe Asllanin.
Nuk ndryshon as sulmi, ku Hoxha dhe Muçi do të mbështesin sërish Manaj, sërish titullar.
Në varësi të ndeshjes dhe rezultatit, Maran pritet t’i japë gjatë ndeshjes minuta edhe futbollistëve që kanë luajtur më pak, por gjithçka vetëm në funksion të fitores…


