Protesta e dhunshme e Sali Berishës në selinë e PD ka shqetësuar amerikanët.
Pas ambasadës së SHBA dhe BE, edhe Byroja e Çështjeve Konsullore në Departamentin amerikan të Shtetit i ka dënuar aktet e dhunshme.
Teksa ka shpërndarë postimin e ambasadës së SHBA në Tiranë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin zonën rreth selisë së Partisë Demokratike, e cila tashmë është kthyer në një skenë krimi. Byroja shkruan se incidente të tjera mund të shfaqen në pjesë të tjera të qytetit.
“Protesta në selinë e Partisë Demokratike është përshkallëzuar në dhunë, me incidente të forcës fizike dhe gazit lotsjellës. Shmangni zonën dhe qëndroni të vetëdijshëm për rrethinën pasi mund të shfaqen incidente në pjesë të tjera të qytetit”, shkruhet në postim.
Për rreth 3 orë mbështetësit e Berishës shkatërruan gjithçka mundën në selinë e PD. Dhuna nisi para orës 12:00 kur ishte planifikuar nisja e protestës. “Viktima” e parë e militantëve të Berishës ishte anëtari i Kryesisë së PD, Roland Bejko, të cilin turma e inatosur e rrethoi dhe jo pak e shtynë, teksa njëri tentoi ta godiste me çadër.
Gjatë protestës është hedhur sasi e madhe gazi lotsjellës. Gazi është lëshuar nga dera anësore e selisë, e cila ndër të tjera është blinduar me profile metalike. Protestuesit janë përpjekur që të ngjiten me shkallë në katin e dytë, aty ku ndodhej kryedemokrati Lulzim Basha dhe anëtarë të tjerë të PD por ka qenë e pamundur. Disa protestuesve u është hedhur spraj lotsjellës nga një dritare në katin e tyre. Forcat e policisë hodhën ujë për të larguar të gjithë protestuesit. Këta të fundit u shpërndanë në rrugë të ndryshme të zonës përreth për shkak të hedhjes së ujit dhe gazit lotësjellës.
Selia e Partisë Demokratike është rrethuar nga policia me shirin e verdhë skenë krimi. Pas largimit të protestuesve, godina e PD-së është marrë në dorëzim nga forcat e policisë. Dyert dhe xhamat e katit të parë duken të thyera pas tentativës së protestuesve për të hyrë brenda selisë. Por ndërkohë selia e PD është “skenë krimi” dhe aty po bëhen hetime nga policia dhe Prokuroria e Tiranës.
be.k/abcnews.al