Mançester Junajtid arriti një tjetër fitore nën drejtimin e trajnerit Solskjer. Suksesi ishte 3-0 me dy gola të shënuar nga francezi Pol Pogba.
Për herë të parë është në zonën Champions. Mançester Junajtid vazhdon rezultatet e shkëlqyera nën trajnerin Ole Gunar Solskjer, dhe suksesi 3-0 në fushën e Fulhamit tregoi se marshimi tashmë është i pandalshëm.
Pol Pogba rikujtoi komplimentin që iu bë dikur në Itali, si “një atlet i NBA-së me këmbë braziliane”, dhe ishte i tillë edhe në Londër. Shënoi dy gola, dhe dirigjoi lojën me saktësi e vizion të madh, si dhe me një teknikë të lartë individuale.
Kur mesfushori francez është në formë të tillë, ai mund të quhet i pandalshëm. Pogba ka shënuar 8 gola dhe ka shërbyer 5 pasime përcaktuese, që kur Solskjer u emërua trajner në vend të Zhoze Murinjos.
Norvegjezi po fiton gjithnjë e më shumë besimin e drejtuesve të klubit dhe pritet shpejt që t’i jepet një kontratë e përhershme.
Solskjer bëri ndryshime, por skuadra nuk I ndjeu, edhe pse në fushë nuk ishin Lindelof, Lingard dhe Rashford. Një tjetër gol i Junajtidit u realizua nga francezi tjetër, sulmuesi Antoni Marsial, dhe “djajtë e kuq” kanë tani 51 pikë duke qenë në vendin e katërt në renditje, në zonën Champions.
Kjo mund të ndryshojë nëse Çelsi fiton me Mançester Sitin, por gjithsesi, Junajtidi i ka të gjitha shanset që të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.