Deputeti socialist Xhemal Qefalia deklaroi në Bardh a Zi në ABC se qeveria e dënon aktin e publikimit të të dhënave personale. Ai theksoi se organet përkatëse do të nxjerrin në pah përgjegjësit për këtë shkelje. Duke e kthyer nga vetja, Qefalia theksoi se kjo prek më tepër sektorin privat, pas deputetët dhe administrata i kanë rrogat publike.
“Patronazhistët nuk mund të konsiderohen skandal. Qeveria e dënon aktin e publikimit të të dhënave personale. Sa i përket nxjerrjes së të dhënave ne nuk dakordësohemi. Përgjegjësit do i nxjerrin në pah organet përkatëse. Ne deputetët i kemi pasur publikisht rrogat.
Janë publike çdo e dhënë. Edhe targat e makinës. Figurat e deputetëve janë të deklaruara. Ne nuk flasim për individët por për masën e gjerë. Këtu jam po aq i shqetësuar sa jeni edhe ju. Problematika është kryesisht në sektorin privat pasi edhe në sektorin publik rrogat janë pothuajse të ditura”, u shpreh Qefalia.
Ai tha se shteti nuk ka interes që të dalin në qarkullim këto lista duke shtuar se qeveria nuk mund të bëjë edhe detyrën e gjyqtarit apo prokurorit, dhe çdo gjë i mbetet në dorë drejtësisë.
“Tani nuk e bën më të njëjtin rol edhe të gjyqtarit dhe të prokurorit, një individ. Detyrat janë të ndara. Nuk gjykon më kryeministri. Shteti nuk ka interes që të dalin këto lista. Nuk e di nëse është Saliu apo Luli se kjo pjesë ju takon juve”, tha ai. m.v/Abcnews.al