Një plagosje me biçak ka ndodhur sot në Fier. Në pranga ka rënë një 50 vjeçar, ndërsa i plagosuri ndodhet në spital.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” shtetasin E. H., 50 vjeç, banues në Fier, pasi në fshatin Shtyllas, për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës (biçak) shtetasin D. M., 31 vjeç, banues në fshatin Shtyllas, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan për veprën penale “Dhunë në familje” shtetasin Gj. M., 55 vjeç, banues në fshatin Murris Kozare, Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij“, thotë policia.
Një 6 vjeçar në fshatin Çermë Sektor është përplasur nga një makinë, ndërsa shoferi është vënë nën hetim.
*Nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier u proceduan penalisht shtetasit: M. L., 62 vjeç, banues në Çermë Shkumbin, pasi duke drejtuar automjetin tip “Volksëagen” në fshatin Çermë Sektor ka aksidentuar një fëmijë të mitur 6 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Lushnjës jashtë rrezikut për jetën”.
Në Vlorë janë proceduar penalisht 2 persona, për ndërtim të paligjshëm.
“Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë proceduan penalisht për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, shtetasin F. R., 63 vjeç, banues në Vlorë, sepse është konstatuar duke ndërtuar një kat shtesë në banesën e tij, pa lejen e organeve kompetente. Nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë u procedua penalisht për të njejtën vepër penale shtetasja G. N., 51 vjeçe, banuese në Dhërmi, Himarë, sepse është konstatuar se ka kryer ndërtime në pronën e saj në Dhërmi, Himarë, pa lejen e organeve kompetente”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. /abcnews.al