Rikthehet makthi i bllokimit në Europë, sa të përgatitur jemi për valën e pestë?

schedule09:07 - 20 Dhjetor, 2021

schedule 09:07 - 20 Dhjetor, 2021

Pak para fillimit të vitit 2022, gjithçka të kujton muajt e parë të vitit 2021 për sa i përket pandemisë. Në prag të vitit 2021, vendet e Europës dhe bota e zhvilluar e shihnin të ardhmen me optimizëm për një rikthim në normalitet pasi vaksinat premtonin fundin e pandemisë.

Një vit më vonë, varianti Omicron përmbysi vlerësimet, duke imponuar shtetet të vendosin sërish karantinën dhe bllokimet. Vendimi i Holandës për të vendosur sërish bllokimin  është një pararendës i zhvillimeve për pjesën tjetër të vendeve europiane, të cilat tashmë po diskutojnë masa të reja.

Për momentin, udhëheqësit e vendeve të mëdha po përballen me probleme të shumta për shkak të variantit të ri. Vendosja e  kufizimeve të  udhëtimeve në vendet afrikane rezultoi e paefektshme, pasi Omicron ishte zbuluar tashmë në Europë, me Londrën duke u bërë qendra e re e infektimit. Ekspertët po bëjnë thirrje të merren masa për shkak të rritjes së shpejtë të rasteve dhe viktimave, gjithashtu kanë bërë thirrje për rritjen e fushatës së vaksinimit dhe forcimin e sistemeve shëndetësore, raportona abcnews.al

Pikëpyetja më e madhe, e cila ende nuk ka marrë një përgjigje të qartë, është nëse doza e tretë plus vaksina mund të jetë efektive dhe në çfarë mase kundër Omicron, pasi dy dozat e para nuk kanë rezultuar të mjaftueshme.

Dhe duke marrë parasysh këto rezultate shumë vende ka të ngjarë të vendosin sërish bllokimin.

Holanda ndërmori hapin e para

“Mutacioni i ri i Omicron po përhapet me shumë shpejtësi dhe unë jam shumë i shqetësuar. Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë t’i kushtojmë vëmendje. “Nëse nevojitet një bllokim, atëherë do të vendoset”, tha kryeministri Rutte.

Sot janë mbyllur rrugët, të gjitha restorantet por edhe hotelet. Kanë mbetur të hapura  vetëm supermarketet dhe farmacitë, ndërsa sipas njoftimeve të qeverisë holandeze Krishtlindjet dhe Viti i Ri do të festohen edhe këtë vit me një limit prej 6 personash në shtëpi.

Bllokimi i ri, megjithatë, solli gjithashtu protesta pasi mijëra dolën në rrugët e Hagës për të protestuar kundër “mbylljes” së re të vendit. Burime nga stafi i kryeministrit holandez thanë për shtypin se vendimi specifik ishte i domosdoshëm pasi me shpejtësinë e shpërndarjes së “Omicron”, spitalet e vendit do të arrinin kufirin brenda dy javëve të ardhshme.

60% e rasteve në Britani janë varianti Omicron

Britania ka raportuar 25,000 raste të reja në 24 orë. 60% e rasteve të reja janë varianti Omicron. Ekspertët sugjerojnë masa të ashpra: nëse nuk merren, vendi mund të përballet me deri në dy milionë raste të reja në ditë.

“Qeveria britanike po monitoron pothuajse çdo orë të dhënat më të fundit të COVID-19 dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur për të kufizuar përhapjen e tij,” tha ministri i shëndetësisë.

Gjermania ka vendosur karantinë për të gjithë personat që hyjnë në vend nga Britania duke filluar nga e hëna. Franca ka filluar vaksinimin e  fëmijëve të moshës mbi pesë vjeç, ka kufizuar udhëtimet nga Britania dhe ka anuluar festimet, raporton abcnews.al

Italia merr vendimin me 23 dhjetor

Në të njëjtën kohë, qeveria italiane po shqyrton masa të reja për të shmangur rritjen e rasteve gjatë sezonit të festave, sipas mediave italiane. Pas një takimi me ministrat më 23 dhjetor, kryeministri Mario Draghi mund t’u kërkojë personave të vaksinuar të bëjnë një test negativ për të hyrë në vendet e mbushura me njerëz, duke përfshirë diskotekat dhe stadiumet, raportoi  Corriere della Sera.

Mund të jenë të nevojshme gjithashtu testet për të hyrë në kinema dhe teatro, së bashku me përdorimin e një maske në ambientet e jashtme.

Spanja është në alarm

Kryeministri i Spanjës i bëri thirrje vendit të qëndrojë vigjilent, pasi varianti Omicron po përhapet dhe numri i rasteve për 100,000 njerëz u rrit në 511. Kryeministri spanjoll tha se qeveria do të zhvillojë një takim urgjent online të mërkurën për të diskutuar hapat e ardhshëm.

“Virusi është ende me ne dhe lufta kundër tij duhet të vazhdojë të jetë një prioritet për të gjitha autoritetet,” tha Sanchez. “Por unë do t’i nxis njerëzit të jenë të qetë dhe të sigurt. Pjesën më të dhimbshme e kemi kaluar së bashku dhe do ta kalojmë duke mbrojtur shëndetin dhe jetën e bashkëqytetarëve tanë”.

Demonstrata kundër vaksinave në Europë

Megjithatë qytetarët europianë vazhdojnë të protestojnë kundër masave kufizuese. Në Vjenë nuk munguan protestat kundër bllokimit për të pavaksinuarit. Gjithashtu ka pasur përplasje  mes protestuesve dhe policisë në Londër.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!