Pas lajmit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të tërhiqen nga traktati për armatimin bërthamor me Rusinë, ka reaguar Moska. Zv/ministri i Jashtëm rus Riabkov u shpreh se vendi do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur interesat kombëtare.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të vendosin 48 raketa në Europë, duke vënë në rrezik Rusinë qendrore dhe Moska nuk mund të injorojë këtë kërcënim. Deklatata e fortë është bërë nga zv/ministri i Jashtëm rus, Sergei Riabkov, i cili theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të vendosin në gatishmëri dhe në mënyrë të menjëhershme madje, 24 raketa bërthamore Tomahok.
Rusia aktualisht po merr masa që të garantojë sigurinë kombëtare, theksoi ai. Lajmi është publikuar nga Interfax, ndërkohë që thuhet se mesazhi i presidentit rus Vladimir Putin në asamblenë federale, një vit më parë, ishte një sinjal më se i bindshëm se Rusia do të kujdeset për sigurinë e saj. Riabkov shtoi se forca dhe mjete janë në fazë të avancuar për të qenë gati dhe operativ.
“Nuk do të jemi të parët që të nisim garën e armatimit apo tensionimit, por Rusia do të garantojë sigurinë e saj”, tha zv/ministri i Jashtëm rus.
“Pyetja qëndron nëse amerikanët do të hedhin hapin e radhës duke lajmëruar Rusinë për vendimin e tyre për tërheqjen nga traktati. Por mendoj se kjo është një perspektivë e paevitueshme dhe se nuk do të ketë asnjë devijim nga deklaratat e presidentit Tramp dhe atyre të këshilltarit për sigurinë kombëtare Xhon Bolton”, përfundoi Riabkov./abcnews.al