Migen Memelli pret një Skënderbe në sulm kundër Kastriotit, pasi vetëm fitorja i bën punë. Rëndësia e kësaj ndeshjeje dihet dhe tekniku i korçarëve ka deklaruar:
“Çdo ndeshje e kampionatit ka rëndësinë e saj, kemi hyrë në një moment që çdo trepikësh ka vlera maksimale. Nesër kemi një kundërshtar të vështirë, por duhet të futemi në fushën e lojës me bindjen për të marrë tre pikët e radhës”.
“Pas golit të parë aksidental nga Vllaznia, skuadra ka pasur ritmin e duhur dhe deri kur morëm golin e dytë kemi qenë në ritmin e duhur. Kemi pasur zotërimin e topit edhe pse ky nuk është një element që të jep rezultatin”.
“Loja dhe rastet nuk na munguan në Shkodër, por vuajtëm finalizimin e rasteve. Ai nuk ishte në nivelin e ndeshjeve të mëparshme. Kemi punuar në këtë aspekt dhe besoj do të jemi në lartësinë e duhur për t’iu përgjigjur kundërshtarit. Nesër mungon Zguro, pastaj pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme.
“Për mua çdo kundërshtar është i vështirë. I vlerësoj njëjtë si vendin e parë të tabelës, ashtu edhe të fundit. Do të bëjmë një lojë ku të kërkojmë rezultatin dhe më pas duke ruajtur ritmin e ndeshjeve të fundit, kam bindjen se do të marrim rezultatin”.
“Strategjitë ndryshojnë sipas ndeshjeve. Këtë ndeshje na lind për detyrë që të jemi më ofensive, por duke parë edhe kundërshtarin do të mundohemi të kemi ekuilibër në të dyja fazat. Manovra sulmuese është ajo që do të japë më shumë temp, kemi gjetur ekuilibrat e duhur edhe në sajë të lojës së mirë”.
“6 pikë në dy ndeshjet e fundit? Të mendojmë për nesër dhe më pas për Dinamon. Janë dy kundërshtarë të ndryshëm, që kërkojnë strategji të ndryshme. Duhet të mendojmë vetëm për nesër dhe nëse marrim tre pikët, pastaj me Dinamon do të kemi më shumë qetësi. Të gjithë bateritë i kemi për ndeshjen e nesërme”./ abcnews.al