Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ripërsëritur propozimin e opozitës për ngritjen e një qeverie tranzitore pasi ky parlament sipas tij është shndrruar në një bodrum krimi. Në të kundërt do të jetë populli që do ta pastrojë këtë sallë, paralajmëroi kryetari i Partisë Demokratike.
“Sot nuk kemi temë më të rëndësishme për të diskutuar se sa mënyra se do të zgjidhet kjo krizë: Ose përmes propozimit të opozitës përmes një qeverie kalimtare dhe jo një qeverie kukullash enigmatike për të justifikuar largimin e atyre që duhet të jenë në burg, sipas përgjimeve që janë bërë publike, ose, ndryshe në këtë sallë, mund dhe duhet ta pastrojë ai të cilit kjo sallë i takon, popullit shqiptar!”.
Më tej Basha duke iu referuar shkrimit të “Zërit të Amerikës” që flet për blerjeve të votave u shpreh se Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit, i cili është vënë në shërbim të tij për të blerë votat.
“Ju ka demaskuar publikisht mediat ndërkombëtare. Dje “Zëri i Amerikës” ka treguar publikisht se ju jeni hajdutët e votave dhe të ardhmes së shqiptarëve. Keni zhytur vendin në krizë, ju veproni me kod mafioz. Ju veproni si bandë kriminale, ju hani e pini me kriminelët. Keni marrë Shqipërinë peng, zgjedhjet peng, keni marrë këtë parlament peng, e keni mbushur me kukulla, gjoja për të hequr nga vëmendja hajdutët me çizme të cilët vidhnin për kryehajdutin dhe kryehajduti nuk vjen. Ça po kërkojmë ne? Të vijë këtu e të përballet, sot, e ka parë e gjithë bota. E di gjithë bota si e morët pushtetin në vitin 2017 e morët me pazare me krimin. Ndaj, gjëja e parë që duhet bërë, kjo seancë duhet ndërprerë dhe njeriu që ka përgjegjësinë për shndërrimin e këtij parlamenti nga tempull i demokracisë në një bodrum të krimit, ku kemi deputetë që nuk kanë marrë asnjëherë fjalën, sepse nuk kanë asgjë për të thënë, sepse arsyeja e vetme se përse janë këtu, është marrëdhënia e tyre me Avdylët, me Keçët, Shullazët, Dajtët, Bandën e Lushnjes, Bandën e Vlorës, Bajrët e Shkodrës”, u shpreh Basha./abcnews.al