SHBA, agjencitë federale bëhen gati për të rifilluar punën

schedule08:31 - 27 Janar, 2019

schedule 08:31 - 27 Janar, 2019

Dy ditë pas arritjes së marrëveshjes mes presidentit Trump dhe demokratëve për një financim të pjesshëm, agjencitë federale amerikane po bëhen gati të rifillojnë punën. Por riaktivizimi i shërbimeve nuk do të jetë i lehtë për shkak të punës së prapambetur të akumuluar nga bllokada 35-ditore.

Pas bllokadës qeveritare më të gjatë në histori, agjencitë federale amerikane po bëhen gati të rifillojnë nga puna. Pas 35 ditë ngërç institucional për shkak të përplasjes mes republikanëve dhe demokratëve për murin me Meksikën, e hëna pritet të shënojë riaktivizimin, që do të zgjasë për të paktën 3 javë.

Ditën e premte, presidenti Donald Trump arriti një marrëveshje me demokratët që parashikon zhbllokimin e pjesshëm të fondeve qeveritare, por pa marrë në këmbim garancinë për ndërtimin e murit në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Demokratët e kundërshtojnë ngritjen e strukturës për shkak të kostos së lartë prej 5.7 miliardë dollarë dhe sepse sipas tyre, ajo nuk do të jetë efikase në luftën kundër drogës dhe krimit, sikundër pretendon presidenti.

Bllokada qeveritare bëri që rreth 800 mijë punonjës të institucioneve federale të mbeteshin pa paguar, përfshirë këtu 380 mijë që ishin me leje. Tani, edhe pse do të rihapin dyert, riaktivizimi i shërbimeve nuk do të jetë i lehtë dhe do të duhen ditë të tëra që agjencitë të dalin nga letargjia 35-ditore.

Punonjësve do t’u duhet të kontrollojnë postën elektronike të palexuar, të zgjidhin problemet logjistike, të ripërtërijnë fjalëkalimet dhe teserat e skaduara, si dhe t’u japin zgjidhje një mori problemesh të tjera. Edhe pasi gjërat të vihen në vijë, agjencive do t’u duhet të rekuperojnë punën e prapambetur, pasi kanë shumë kontrata të lëna përgjysmë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!