Gucati në Hagë: Kam nevojë të operohem edhe njëherë

schedule14:47 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 14:47 - 6 Dhjetor, 2021

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati ka folur në Dhomat e Specializuara në Hagë për luftën në Kosovë dhe vrasjet e kryera nga forcat serbe. Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës, Gucati ka folur edhe për gjendjen e tij shëndetësore duke theksuar se ka nevojë që të kryejë edhe një operacion në këmbë, pas 27 operacioneve të kryera deri më tani

I akuzuari Hysni Gucati në ditën e parë të dëshmisë së tij para trupit gjykues ka përmendur ofensivën e 3 gushtit të vitit 1998 për të cilën ka thënë se forcat serbe kanë sulmuar disa fshatra, në mesin e tyre edhe Morinën.

Ish-pjesëtari i UÇK-së ka thënë se është plagosur më 2 qershor të vitit 1999 dhe vazhdon t’i vuajë pasojat e atij lëndimi.

“Unë jam plagosur më 2 qershor në ofensivën e fundit në vitin 1999 në Malet e Berishës të vendit të vuajtur ‘Guri i Vogël, mbi Llapushnik. Unë jam i plagosur në këmbën e djathtë, dhe i kam 27 operacione gjithsej. Unë kisha edhe vitin e kaluar të bëjë një operacion të ndërhyj por nuk e pata fatin dhe se erdha këtu në paraburgim në Holandë”, ka thënë Gucati.

Ai ka thënë se aktualisht bënë kontrolle mjekësore në spitalin e Holandës dhe ka nevojë edhe për një operacion.