Në një intervistë për zviceranen Blick, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh se tashmë është koha për paqe, pavarësisht se ka ende njerëz në Serbi e Kosovë që flasin për luftë.
Është koha që Kosova dhe Serbia të bashkëjetojnë në paqe. Në një intervistë për zvicerianen Blick, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, foli ndër të tjera dhe për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe për fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi. I pyetur se pse ishte i domosdoshëm krijimi i Ushtrisë së Kosovës në një kohë që u kundërshtua dhe nga partnerë ndërkombëtarë, kreu i shtetit theksoi se ky ishte vendim i natyrshëm i një vendi të pavarur. Ai shtoi se falë NATO-s, Kosova është një nga vendet më të sigurta në Evropë, dhe për t’u bërë pjesë e saj vendi duhet të ketë një ushtri. Thaçi këmbënguli se krijimi i ushtrisë ka ndodhur shumë vonë.
Ndërsa për sa i përket reagimit të ashpër të Beogradit, ai e komentoi si të motivuar politikisht dhe armiqësor, i nxituar dhe pa argumente. Për më shumë që sipas tij, Serbia është vendi më anti-NATO në rajon. Duke iu referuar fazës aktuale të dialogut mes dy vendeve, Thaçi tha se të dy vendet janë të fokusuara në negociatat për një paqe përfundimtare.
Procesi udhëhiqet nga BE, i mbështetur nga SHBA dhe, me sa duket, do të pranohet edhe nga Rusia. Në fund, Kosova do të jetë anëtare e OKB-së dhe plotësisht e njohur nga të gjitha vendet, përfshirë Serbinë, shtoi ai. I pyetur nëse ekziston mundësia e një konflikti të ri mes dy vendeve, kreu i shtetit të Kosovës u shpreh se nuk do të ketë luftë mes shqiptarëve edhe serbeve, pikërisht falë marrëveshjes së paqes, që mund të arrihet në muajt e ardhshëm. Edhe pse ka ende njerëz në Serbi dhe Kosovë që flasin për luftë.
“Kjo është e rrezikshme. Kjo e bën marrëveshjen e paqes edhe më të rëndësishme. Nëse dështojmë të arrijmë marrëveshje tani, nuk mund të përjashtoj që në të ardhmen do të ketë përsëri konflikt. Ne vërejmë se nacionalizmi dhe radikalizmi po rriten në të dyja anët. Tani është momenti më përshtatshëm për paqen”, përfundoi ai./abcnews.al