Shehi: Skënderbeu kërkon maksimumin ndaj Partizanit

schedule17:43 - 24 Janar, 2019

schedule 17:43 - 24 Janar, 2019

Skënderbeu do të ketë shumë mungesa në ndeshjen e rëndësishme ndaj Partizanit. Gjithsesi, trajneri Orges Shehi, kërkon nga skuadra e tij që të marrë maksimumin.

Do të donin shumë që ta përsërisnin.

Futbollistët e Skënderbeut, trajnerët, drejtuesit e klubit dhe tifozët, çfarë nuk do të jepnin për të fituar edhe një herë kështu ndaj Partizanit, si 17 gushtin e kaluar në Korçë.

Gjithsesi, ajo kohë duket larg, edhe pse diferenca në renditjen e Superligës ende nuk është e pakapshme.

Skuadra kampione u stërvit në mes të dëborës në qytetin e saj, pas fitores në Kupë, dhe trajneri Shehi bëri kërkesën e tij ndaj lojtarëve.

Shehi: “Është momenti që ne të marrim maksimumin. Në ndeshjet e fundit të Kampionatit që të jemi koshientë kemi prodhuar dhe kemi marrë atë ç’ka meritonim. Duke ditur se luajmë kundër një kundërshtari direkt dhe duke parë renditjen dhe duke parë pozicionin që kanë dy skuadrat, mendoj që është ndeshja e duhur për t’u kthyer tek fitorja.

Përveç kundërshtarit të fortë, problem i madh janë mungesat.

Shehi: “Sigurisht që lojtarët që mungojnë kanë qenë pjesë e formacionit tonë gjatë gjithë kësaj periudhe, por ne duhet të mësohemi me këto mungesa dhe futbolli i tillë është”.

Gjendja duket e vështirë në Korçë, edhe për shkak të vendimit të pritshëm të KAS-it për dënimin e UEFA-s, por Shehi ende ka besim për sezonin.

Shehi: “Është ndeshje që na shërben shumë për vazhdimësi, për të ardhmen dhe për aspektin psikologjik. Nuk do ta quaja ndeshje vendimtare, por ndeshje që na shërben shumë për vazhdimin e sezonit”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!