Sot ishte atentati i tretë, vritet ish-deputeti në Shkodër

schedule20:07 - 29 Nëntor, 2021

schedule 20:07 - 29 Nëntor, 2021

Ndërron jetë në spitalin e Shkodrës ish-deputeti Pashko Ujka, i cili nga 2011 deri në 2015 drejtoi edhe Komunën e Velipojës.

Mbrëmjen e sotme rreth 18:00 atij iu bë pritë dhe u qëllua pas shpine me silenciator në një lulishte pranë Kishës Ortodokse, teksa ishte duke shkuar në shtëpi, raporton gazetari i “ABC” në Shkodër Simon Shkreli.

Si pasojë e plagosjes në kurriz, Ujka humbi shumë gjak dhe pavarësisht thirrjes së familjes dhe kujdesit të mjekëve, ai ndërroi jetë rreth orës 20:00.

Kjo ishte hera e tretë që 64-vjeçari ishte vendosur në shënjestër, pasi më parë i ishin bërë dy atentate të tjera, por kishte arritur që të shpëtonte.

Ai ka shërbyer si deputet në disa legjislacione. Mes viteve 2005-2009, Ujka kaloi nga Partia Aleanca Demokratike te Partia Demokristiane e Nard Ndokës ku mbajti për disa kohë postin e kreut të grupit parlamentar.

Nga 2011 deri në 2015 Ujka ka drejtuar komunën e Velipojës për një mandat nën siglën e PS, ndërkohë që ka qenë dhe në krye të ekipit sportiv Ada./ Abcnews.al