Basha: Vangjush Dako premton tendera në këmbim të votave

schedule15:42 - 20 Nëntor, 2017

schedule 15:42 - 20 Nëntor, 2017

Lulzim Basha deklaroi se është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, të cilët sipas tij kanë fakte dhe prova për kriminalizimin e qeverisë shqiptare dhe për bashkëpunimin e saj me trafikantët për vjedhjen e zgjedhjeve.

Pas Saimir Tahirit vjen emri i Vangjush Dakos.

“Prokurorët i kanë të dokumentuara faktet që lidhin Vangjush Dakon me procesin mafioz të blerjes së votave. Prokurorët kanë tabulatet telefonike ku Gjushi u premton grupeve kriminale tenderat në këmbim të blerjes së votave”.

Nuk është se nuk e ka cekur, Lulzim Basha gjatë ditëve të fundit kur është pyetur se kush ishin emrat e tjerë të lidhur me krimin, por të hënën, foli për informacione që tha se janë të sigurta. Ai deklaroi se kryebashkiaku i Durrësit është kapur në përgjime me kriminelë.

“Shërbimet inteligjente, përfshirë edhe ato të vendeve partnere, e kanë kapur gafil Vangjush Dakon duke bërë pazare në telefon. Në këmbim të blerjes së votave dhe dhunimit të qytetarëve, Dako u premton kriminelëve tendera.
Janë miliona euro që Vangjush Dako u ka premtuar kriminelëve, vetëm që ata të siguronin vota dhe pushtetin për Partinë Socialiste”.

Kreu demokrat tha se gjithçka është e dokumentuar nën hetim prej disa kohësh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe se këtë e di edhe kryebashkiaku dhe kryeministri. Një prokuror është zhvendosur dhe Basha me këtë situatë e lidh dhe largimin e Visho Ajazit nga kreu SHISH, si kundër i bën thirrje kryeprokurorit Llalla që të flasë.

“Kjo është një nga çështjet ku mund të gjendet edhe arsyeja e dorëheqjes së papritur të Shefit të Shërbimit Inteligjent. Projekti i Edi Ramës për drejtësinë e kapur dhe të nënshtruar nuk po realizohet.
Për këtë arsye, Edi Rama përdor mënyrat e tjera për të shpëtuar Gjushin dhe Gjushët e tjerë të partisë. Ai me presionin kriminal, ka larguar prokurorin Anton Martini nga hetimi i çështjes, i cili është “graduar” drejtues në Prokurorinë e Shkodrës.
Prokurori që po heton vjedhjen spektakolare të votave në Durrës largohet me ngritje në Shkodër, me shpresën e vetme të Edi Ramës për të shpëtuar Gjushin nga prangat.
Sot i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm që t’u thotë qytetarëve nëse lëvizja e prokurorit Anton Martini është bërë apo jo nën presionin kriminal të Edi Ramës”.

Kryeministri, sipas Bashës mbrojti Tahirin e po mbron Dakon për të mbrojtur veten e tij, ndërsa emrat nuk ndalen këtu.

“Ndaj drejtësia duhet të veprojë shpejt. “Peshqit e mëdhenj” kanë rënë në rrjetë”.

 

https://youtu.be/gJSg6DiLCq0