Në vijim të vizitës shtetërore në Mal të Zi, Presidenti i Republikës Ilir Meta u prit edhe nga Kryeministri Dushko Markoviç. Kreu i shtetit shqiptar i kërkoi kreut të ekzekutivit malazes, një përfaqësim më të madh të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të vendit.
I lavdëroi për përparimin që ka shënuar Mali i Zi në procesin e integrimit evropian, por nuk i kurseu as këshillat ndaj Kryeministrit malazez për t’i dhënë më shumë mbështetje shqiptarëve që jetojnë atje.
Gjatë vizitës zyrtare në shtetin fqinjë Presidenti i Republikës Ilir Meta apeloi për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi.
Nga ana e tij, Kryeministri i Malit të Zi e informoi Presidentin Meta për disa projekte konkrete në mbështetje të zonave ku banojnë shqiptarë, siç është ndërtimi i rrugës Tuz-Grabon, rikonstruksioni i shkollës së fshatit Dacaj në Rozhajë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Plavë dhe Guci, hapja e disa pikave kufitare në këtë zonë si edhe në Ulqin por edhe punësimi i shqiptarëve në institucionet qendrore. Për kryetarin e shtetit shqiptar bashkëpunimi midis dy vendeve duhet të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke patur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit. /abcnews.al