Prokuroria për Krimet e Rënda lexoi pretencën për grupin kriminal të dyshuar për grabitjet e bujshme të 3 bankave të nivelit të dytë në vitet 2015-2017. Prokurori kërkoi fajësinë e tetë të pandehurve dhe dënimin e tyre me 119 vite burg në total.
Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi në gjykatë 119 vite burg për tetë persona të akuzuar për vjedhjen e gati 9 milionë eurove në tre grabitje bankash. Sipas prokurorisë, të pandehurit kishin funksionuar si një grup i strukturuar kriminal, teksa kryen tre goditjet e bujshme të autoblindave që trasnportonin vlerat monetare të bankave të nivelit të dytë. Përveç shumave marramedëse të vjedhura, grabitjet u përçollën me bujë për shkak të mekanizmit të tyre, apo edhe fshehjes së parave nga autorët nëpër tenxhere presioni.
Për ish-komandon, Neim Avduli dhe për Dash Kupën prokuroria kërkoi nga 20 vite burg, ndërsa 18 vjet e 9 muaj për Ernes Kupën. Për tre të pandehur të tjerë u kërkuan dënime me nga 16 vite burg. Më e lehtë ishte masa e kërkuar për të pandehit Ditjon Memlika dhe Admir Çerpja, 5 vjet e 8 muaj secili, ulje që u përfitua për shkak të bashkëpunimit të tyre me drejtësinë. Prokuroria identifikoi Admir Muratajn si drejtuesin e grupit, por gjykimi ndaj tij u pezullua për shkak se arrestimi i tij ende nuk është bërë i mundur.
Referuar pretencës së prokurorisë, goditja e parë për të cilën akuzohen të pandehurit është ajo e 13 shkurtit 2015 në një bankë pranë ish-Stacionit të Trenit në kryeqytet. Nën kërcënimin e armëve, ata iu morën punonjësve të policisë private thasët me 2 milionë euro vlerë monetare në momentin që po i ngarkonin në një autoblindë që do t’i transportonte drejt Rinasit. Episodi tjetër është ai i dhjetorit të vitit 2015 në segmentin rrugor Kthesa e Kasharit- Rinas, ku u grabitën gati 3.8 milionë euro. Sipas prokurisë, të armatosur, maskuar dhe me uniforma të ngjashme me ato të policisë i prenë rrugën eskortës së bankës, neutralizuan punonjësit e siugurisë dhe u larguan bashkë me thasët e parave. Përmes të njëjtit mekanizëm është realizuar edhe episodi i tretë, në të njëjtin aks rrugor, në shkurt 2017, ku u grabitën 3.2 milionë euro. Gjatë hetimit, falë edhe bashkëpunimit të dy prej të pandehurive, prokuroria arriti të rindërtojë të gjithë mënyrën e funksionimit të grupit, nga rekrutimi i të rinjve, pozicionet që ata mbanin në grabitjes, si edhe ku i kishin fshehur apo shpenzuar paratë e vjedhura. /abcnews.al

