Deputeti i PS, Erjon Malaj në emisionin “Real Story” në ABC News,foli për protestat dhe u ndal edhe te zhvillimet gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend.
Malaj e cilësoi situatën e krijuar në Parlament si një pasqyrë të asaj që, sipas tij, ndodh në mënyrë të përsëritur gjatë protestave në rrugë. Ai pretendoi se grupet që dalin në protesta nuk kanë si qëllim studentët, por shkatërrimin, me synimin për të frikësuar mazhorancën dhe qeverinë.
Ai theksoi gjithashtu se kryeministri ka një mandat të dhënë nga qytetarët dhe se, sipas tij, objektivi kryesor i qeverisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të vijojë deri në përfundim.
“Ishte e dukshme edhe ajo që patë sot në Parlament, ishte një pasqyrë e gjithçkaje që ndodh në dhunë e përditshme. Janë ato grupe që sa herë dalin në qytet nuk kanë qëllim studentët, por vetëm të shkatërrojnë me shpresën që mos e trembin këtë mazhorancë apo qeveri sepse kryeministri i vendit ka një mandat që ia kanë dhënë qytetarët dhe atë mandat me qëllimin dhe objektivin kryesor integrimin e vendit me të drejta të plota në BE do ta çojë deri në fund”, tha ai.


